Bislimi takohet me këshilltarin e Michel, flasin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua në Bruksel me Simon Mordue, Këshilltar kryesor për Politika të Jashtme i Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Siç bëhet e ditur përmes një njoftimi për media nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim, këshilltari i Presidentit Charles Michel, u informua mbi vendimin e Kosovës për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova gjendet tashmë në vitin e gjashtë të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
“Ka ardhur koha që marrëdhëniet dhe partneriteti me Bashkimin Evropian të shkojë një hap tutje. Kosova ka shënuar progres të theksuar, në fusha kyçe në bashkërendimin dhe përafrimin e standarteve me ato të BE-së si në sundim të ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik e demokratizimin. Progres ky, i riafirmuar edhe nga Raporti për vendin 2022 i Komisionit Evropian.”, thuhet në njoftim./21Media
.

Back to top button