AAK për planin evropian: I kemi dhënë mbështetje pa kurrfarë kalkulimi partiak

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pas takimit që pati me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e me të dërguarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u shpreh se mbështetë propozimin evropian.

“Pa asnjë mëdyshje e kemi vlerësuar se është një marrëveshje që brenda vetes ka njohjen “defakto” të shtetit të Kosovës dhe që është interes naconal i yni! I kemi dhënë mbështetje këtij projekti pa kurrfarë kalkulimi partiak apo elektoral. Prandaj përpjekja e disa individëve, apo grupimeve të caktuara që këtë qëndrim të interesit nacional e shtetëror të Aleancës, ta vendosin në mozaikun e shkurtpamësisë së tyre, s’është gjë tjetër përpos mjerimi i tyre! Aleanca dhe gjithë forcat progresive ne Kosovë, sot janë rreshtuar me ShBA dhe vendet e BE-së, në procesin e përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë!”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Sipas AAK-së” rrugës së çlirimit, të lirisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës, i kemi hyrë bashkërisht me partnerët tanë në krye me ShBA, dhe bashkërisht do ta përfundojmë!”

Kujtojmë se pjesë e takimit me Hovenierin e Escobarin ishin edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Back to top button