A do të ketë rishikim të masave anti-COVID gjatë javës?
Për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive me COVID-19, Qeveria e Kosovës të premten mori vendim për masat e reja antiCOVID-19.
Këto masa janë paraparë që të jenë në fuqi deri më 14 shkurt, por në ditët në vijim do të ketë rishikim të masave anti-COVID. Kështu ka bërë të ditur për portalin rtv21.tv, këshilltari në Ministrinë e Shëndetësisë Drin Podrimqaku.
“Gjendja epidemiologjike po monitorohet ne vazhdimësi, në këtë drejtim edhe efekti i masave në frenimin e përhapjes së virusit, andaj dhe gjatë fundit të kësaj jave do të mblidhet prape ekipi i ekspertëve shëndetësore për të parë çdo mundësi”, ka thënë Podrimqaku.
Me vendimin për masat e miratuara të premten, gastronomia do të punojë deri në orën 21:00, ndërsa muzika lejohet vetëm deri në orën 20:30. Masë tjetër është edhe ora policore e vendosur nga ora 22:00 deri në ora 05:00.Ndalohet hyrja në mjetet e transportit publik dhe ndërkombëtar pa maskë.
Operatorët e transportit rrugor të udhëtareve lejohen të punojnë duke shfrytëzuar 50% të kapacitetit të ulëseve. Kurse në taksi lejohen të udhëtojnë deri në dy (2) udhëtarë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?