A rrezikohen nxënësit në shkollë? Pediatri Kokale: Fëmijët shumë pak mund të infektohen

 

Nuk ka rrezik nëse nxënësit rikthehen në shkollë. Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por edhe rastet në Maqedoninë e Veriut tregojnë se fëmijët shumë pak infektohen nga Covid-19.

Pediatri Ylber Kokale vlerësoi se rrezik më i madh do të jetë nëse fëmijët nuk kthehen në shkollë, sepse mund të mbeten analfabetë.

“Incidenca e virusit Kovid-19 te fëmijët është shumë, shumë më e rrallë. Për hir të asaj, ja shtatori vjen shumë shpejtë dhe fëmijët nga mosha e klasës së parë dhe deri në klasën e nëntë, apeloj që ta vazhdojnë edukimin dhe risocializimin dhe shkollimi të jetë në suaza të normales, sepse kështu si i lëmë, për një kohë shumë të shkurtër do të mbeten edhe analfabetë”, u shpreh Ylber Kokale – Pediatër.

Ai tha se shkolla do të jetë vendi më i sigurt për fëmijët, ngaqë mësimi zhvillohet nën protokolle të veçanta. Kokale vlerësoi se fëmijët nuk kanë aftësi të zhvilluara për mësim online.

“Ata janë të papërgatitur për mësim online. Gjeneratat e gjimnazit dhe studentët i kanë më të kapshme rrjetet sociale, mjetet informatike, por kjo grupmoshë jo. Më vonë do të ndihen efektet e kësaj gjenerate”, tha Ylber Kokale – Pediatër.

Nga ana tjetër, ka epidemiologë që vlerësojnë se kthimi i nxënësve në bankat shkollore është i rrezikshëm. Kthimit në shkolla me dyshime e shohin edhe nga Sindikata për Arsimit, Shkencë dhe Kulturë. Zëvendësministrja e Arsimit, Elizabeta Naumovska ishte e prerë që nxënësit të kthehen në shkollë.

“Ne propozojmë prani fizike me numër të ulët të nxënësve në klasë. Grupe më të vogla, me protokoll të mjaftueshëm për distancë fizike, mbajtje e maskës, dezinfektim në të gjitha format që të mbrohen edhe arsimtarët edhe nxënësit. Nëse në arsimin fillor ora mësimore ka zgjatur 40 minuta, tash ajo do të jetë 20 minuta. Arsimtari do të ndajë klasën në dy grupe me nga 15 nxënës”, tha Elizabeta Naumovska, zëvendësministre e Arsimit.

Të kontaktuar nga TV21 nga Ministria e Shëndetësisë thanë se për këtë çështje do të prononcohen të martën. Në këtë ditë, po ashtu pritet edhe rikthimi i diskutimeve në Komisionin për sëmundje ngjitëse dhe përpilimi i protokolleve arsimore. Propozime dhanë edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE. Nga kjo parti kërkuan edhe rihapjen e çerdheve.

Ditë më parë zëvendësministrja Naumovska tha se MASH rekomandon që ora mësimore të zgjasë 20 minuta, ndërsa në klasë të mos ketë më shumë se 15 nxënës. Nëse klasa ka më shumë se kaq, të ndahen në grupe, që një javë ose dy njëri grup të ndjekë mësimin nga shtëpia, e tjetri nga shkolla, e më pas të bëhet rotacion. Të gjitha dilemat pritet të zgjidhen para 15 gushtit, raporton TV21./21Media

 

Back to top button