AAK: Qeveria ta shfuqizojë vendimin për rritje të tatimit në pronë!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar që të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022.
Përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare, AAK ka thënë propozimi për faljen e tatimit në pronë për 100 euro përveç që është mashtrim, është edhe anti-ligjore.
“Vendimi i Ministrisë së Financave për rritjen e tatimit në pronë, ka goditur direkt xhepin e qytetarëve, në këtë kohë kur çmimet për secilin produkt janë dyfishuar.
Në mungesë të veprimeve serioze në shërbim të rritjes së mirëqenies socio-ekonomike, qeveria paska vendosur që përmes kuvendeve komunale të vazhdojë me mashtrim, me propozimin për faljen e tatimit në pronë për 100 euro. Kjo nismë është anti-ligjore, sepse Ligji për Tatimin në Pronë është i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë ose të falë borxhet e tatimit në pronë”, thuhet në reagimin e AAK-së.
Për disa, tatimi vjetor në pronë është rritur deri në 100 për qind, e për disa të tjerë, ajo ka mbetur e pandryshuar, sepse vlera e pronës ka mbetur e njëjtë si në të kaluarën./21Media

Back to top button