Abazoviq në krye të qeverisë malazeze, çfarë ndikimi ka për kombin shqiptar?

Dritan Abazoviq është shqiptari i parë që është zgjedhur kryeministër i Malit të Zi. Një gjë e tillë u konsiderua si lajm i mirë . E të tillë po e konsiderojnë edhe analistët Dritëro Arifi e Dorajet Imeri, jo vetëm për faktin se Abazoviq është shqiptar, por edhe për atë se vlerësohet që ka orientime properëndimore.
Arifi për portalin rtv21.tv thotë se ky është lajm jashtëzakonisht pozitiv .
“Përzgjedhja e Abazoviq si kryeministër i Malit të Zi në rend të parë në një farë mënyre e ka shpëtuar Malin e Zi nga një ndarje dhe nga një rrezikim i forcave pro serbe apo respektivisht ruse dhe në këtë formë Mali i Zi është balancuar si shtet e ka ruajtur stabilitetin dhe mos të harrojmë Mali i Zi është vend anëtar i NATO-s. Pra zgjedhja e Abazoviqit e ka shpëtuar Malin e Zi që të mos e destabilizoj nga ajo gjendje që ka qenë para kësaj qeverie.”, pohon Dritëro Arifi.
Ngjashëm edhe Droajet Imeri thotë se zgjedhja e Abazoviqit është mundësi e mirë për Malin e Zi që si shtet t’i ruajë orientimet e qarta strategjike drejt bashkimit evropian dhe të NATO-s.
“Synime këto që u patën lëkundur me ardhjen në pushtet të qeverisë pro-serbe që për fat të mirë ajo vetëm se ka rënë para disa kohësh . Lajmi tjetër i mirë është se kryeministri Abvazoviq ka orientime të qarta pro-perëndimore.”, vlerëson Imeri për portalin rtv21.tv
Por si do të ndikojë zgjedhja e Dritan Abazoviqit kryeministër i Malit të Zi në mirëqenien e shqiptarëve atje?
Analisti Arifi thotë se kjo do të reflektojë për shqiptarët e Malit të Zi.
“Sepse nga shumica e popullatës do të shihet si shtet formues pra edhe kjo është një element jashtëzakonisht pozitiv për shqiptarët në Mal të Zi” , thotë Arifi.
Ndërsa, analisi Dorajet Imeri është pak më skeptik se një gjë e tillë do të ndikojë ekskluzivisht te shqiptarët e Malit të Zi.
“Shqiptarët atje në mënyrë të vazhdueshme kanë qenë të persekutuar në formën e organizuar shtetërore për shkak të kësaj një pjesë e mirë e tyre janë detyruar të largohen nga Mali i Zi në drejtim të vendeve perëndimore dhe në veçanti të SHBA-së, prandaj një nga detyrat të kësaj qeverie demokratike është që të ofrojë liri dhe barazi për të gjithë njerëzit pa dallime të përkatësisë etnike, dhe rrjedhimisht kjo do të ishte një favorizim për shqiptarët dhe në këtë mënyrë do të mund të themi se do të sigurohej ose do të mund të përmisohej situata e përgjithshme e shqiptarëve të Malit të Zi.”, thotë Imeri.
Abazoviq në krye të qeverisë së Malit të Zi, si do të ndikojë kjo për kombin shqiptar në përgjithësi?
Dritëro Arifi ardhjen e Abazoviq në krye të qeverisë së Malit të Zi po e sheh si të rëndësishme edhe për gjithë kombin në tërësi. Ai vlerëson se kombi shqiptar do të jetë në pozitë shumë më të mirë, pasi që sipas tij kombi ka orientim properëndimor dhe është pro-NATO-s.
“Kjo në një farë mënyre kombin shqiptar e faktorizon politikisht dhe ushtarakisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Të dhënat dëshmojnë se shekulli 21 nuk është shekull i kombit shqiptar, por duhet kuptuar se demokracia liberale është sistemi i vetëm ku shqiptarët mund të fuqizohen në tërë Ballkanin Perëndimor si komb. E kjo na jep një hapësire që edhe në t’i korrigjojmë gabimet që mund t’i kemi ne shtetet tjera ku shqiptarët janë shumicë apo janë pjesëmarrës siç është rasti i shqiptareve në Maqedoninë Veriore janë pjesëmarrës në institucionet publike. Andaj ne duhet të jemi edhe të kujdesshëm por duhet të jemi edhe jashtëzakonisht shumë të gëzuar që shekulli XXI realisht ka qenë një shekull që ka dhënë rrugëdalje edhe zgjidhje shumë më të mira kombit shqiptar. “, thotë Arifi për portalin rtv21.tv
Në anën tjetër, Dorajet Imeri zgjedhjen e Abazoviq e sheh si një model të ri në Ballakan, për faktin që sipas tij është kapërcyer pengesa nacionaliste.
“Ndryshe nëse e shohim në perspektivën tjetër të përbërjes së qeverisë deri më tash sipas raportimeve do të jetë vetëm një shqiptar në kabinetin qeveritar të tij që nënkupton se nuk mund të shohim se zgjedhjen e tij nga perspektiva etnike. Pra para se gjithash ai është një model i ri i Ballkanit nacionalist se si mund të kapërcehet si ta themi këto pengesat nacionaliste të cilat kanë qenë në mes të shoqërive të ndër urryera në Ballkan dhe që ky kryeministër mund të jetë një individ i cili e kapërcen si ta themi përkatësinë në drejtim të një qeverie demokratike dhe shumetnike.”, vlerëson Imeri.
Politikani shqiptar nga Ulqini, Driton Abazoviq, është zgjedhur kryeministër i ri i Malit të Zi. Kuvendi i Malit të Zi dje zgjodhi Qeverinë e 43-të.Për zgjedhjen e Qeverisë së re dhe ekspozimin e mandatarit votuan 45 deputetë të mazhorancës së re, ndërsa kundër tre deputetë të SD-së.Abazoviq u bë kështu kryeministri i tretë shqiptar në Ballkan/21Media

Back to top button