Abdixhiku: Tash e 3 muaj, ZRRE dhe Qeveria kanë faturuar qytetarët kundërligjshëm

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila ka refuzuar ankesën e ZRRE-së si dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.
“Tash e 3 muaj, ZRRE dhe Qeveria e Kosovës, kanë faturuar qytetarët tanë kundërligjshëm. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit si dhe ai i Gjykatës Themelore në Prishtinë, konfirmojnë të gjitha argumentet tona rreth faturimit diskriminues dhe të padrejtë të qytetarëve tanë. Këto argumente ishin injoruar nga pushteti. Insistimi i tyre për të mbrojtur një plaçkë publike, ka marrë sot vulën e dyfishtë të paligjshmërisë”, ka thënë Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka theksuar se kthimi i mjeteve tek qytetarët, rishikimi i menjëhershëm i tarifave të energjisë, si dhe shkarkimi i Bordit të ZRRE-së, janë hapa të domosdoshëm që Qeveria e Kosovës dhe Albin Kurti duhet t’i ndërmarrin sa më parë.
“Sot kërkojmë përgjegjësi publike nga ata që paligjshëm i shtrenjtuan faturat e energjisë; e që mbrojtën me garancë këtë paligjshmëri. Pjesa tjetër e së vërtetës rreth krizës energjetike – të keqpërdorimit të qindra milionave, pagesave në llogari të fshehta, e vonesës në reagueshmëri – do të zbardhen në Komisionin Hetimor Parlamentar”, ka thënë tutje ai.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 8 prill 2022 kishte aprovuar si të bazuar propozimin e paditëses/propozueses Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe kishte pezulluar vendimin e ZRrE-së për tarifat e reja për energji elektrike.
Paraprakisht, ZRrE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike.
Pavarësisht se Themelorja pati vendosur ta pezullojë vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, faturat qytetarëve u kanë shkuar me tarifat e reja./21Media  

Back to top button