Abdixhiku thotë se pushteti duhet të bisedojë me mësimdhënësit pa arrogancë e pa hezitim

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, sot u shpreh se Kryeministri Albin Kurti refuzoi dialogun dhe nuk arriti të trajtojë me respekt shtetari problemin e mësimdhënësve.
Ai potencoi se zgjidhjet e Kurtit, “të njëanshme që nuk plotësojnë nevojat themelore të mësimdhënësve, janë veçse improvizim”.
“Si i tillë, ky plan pa dialogim, thellon përçarjen e mbanë shkollat tona të mbyllura. Qeveria ka për obligim që inflacionin prej 20% ta përkthejë në rritje të të hyrave për të gjithë.”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Ai shtoi se pushteti duhet të bisedojë me mësimdhënësit pa arrogancë e pa hezitim.
Ndërkohë, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, sot më herët, i ka kërkuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti t’i ekzekutojë pagat e muajit gusht.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës e ka nisur grevën më 25 gusht me kërkesën për ndarjen e pagave shtesë nga 100 euro çdo muaj deri në miratimin e ligjit të pagave. Kryeministri Kurti e ka quajtur të paarsyeshme grevën në arsim, duke kërkuar që mësimdhënësit t’i kthehen punës në procesin e rregullt mësimor. Kryetari i Sindikatës së Bashkiar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, pas takimit me Presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se greva do të ndalet kur të plotësohen kërkesat e tyre./21Media
|m1\-w|m3ga|m5

Back to top button