Ahmeti: Nuk do të lejojmë tubime elektorale në shkolla

 
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk do të lejohen tubimet elektorale brenda në shkolla.
“Drejtorët e shkollave dhe drejtoria e Arsimit kanë lajmëruar që kanë presion nga shtabet për me i leju tubimet me qytetarë brenda në shkolla për shkak të shiut. Përgjigja është JO! Zgjedhjet po mbahen në kushte të jashtëzakonshme. Sipas udhëzimeve çfarëdo grumbullimi i qytetarëve në hapësira të mbyllura duhet të kufizohet”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti tutje ka thënë tubimet në vende të hapura lejohen vetëm me masat e marra nga Qeveria.
“Nuk kemi kapacitete të zbatojmë strategji të lejimeve me vaksinim apo PCR. Por edhe më me rëndësi mësimi i fëmijëve po zhvillohet në ato hapësira gjatë ditës. Nuk duhet të rrezikojmë qoftë edhe një rast. Meqenëse nuk jemi në garë, besoj se hasim në mirëkuptim të partive që ky vendim strikt po zbatohet duke konsideruar vetëm shëndetin e qytetarëve. Edhe më tutje tubimet në vende të hapura lejohen vetëm me masat e marra nga Qeveria. Sikurse edhe në zgjedhjet nacionale nuk do të hezitojmë në shqiptimin e dënimeve. I falenderoj të gjithë kandidatët e Komunës së Prishtinës për mirëkuptim!”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor./21Media

Back to top button