AKK: Nuk kemi mandat që të rregullojmë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka thënë se kohëve të fundit i janë adresuar ankesa lidhur me ngritjen e çmimit të disa produkteve në tregun e Kosovës.
Përmes një deklarate, kanë sqaruar se AKK, ashtu siç është rasti me çdo institucion tjetër për mbrojtjen e konkurrencës në rajon dhe në vendet e Bashkimit Evropian, nuk ka mandat që të rregullojë çmimet e ndonjë produkti ose shërbimi.
Tutje në deklaratë thuhet se mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë si parakusht për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg.
“Më konkretisht, Autoriteti i Konkurrencës mund të reagojë në ato raste kur ndërmarrjet veprojnë në mënyrë të koordinuar (pra, nëse një veprim i tillë është rezultat i marrëveshjes së tyre eksplicite, përmes formës se kartelit-marrëveshjes së ndaluar apo sjelljeve te tyre ne treg – praktikës së bashkërenduar). Gjithashtu, AKK mund të reagojë edhe ndaj ndërmarrjeve që kanë pozitë dominuese në treg dhe të cilët keqpërdorin këtë pozitë”, thuhet në njoftimin e AKK-së.
Tutje bëhet e ditur se, pas rrethanave të krijuara me çmimet e disa produkteve, AKK ka intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u siguruar që ndërmarrjet nuk janë duke e shkelur Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes praktikave të përmendura sipër.
Gjithashtu, theksohet se AKK në vazhdimësi është duke avokuar përmes formave të ndryshme që të rris vetëdijen e operatorëve të tregut për Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës./21Media