Kaloni te përmbajtja kryesore

Aksidentet në magjistralen Prishtinë-Podujevë, banorët bllokojnë një pjesë të magjistrales

Numri i aksidenteve në magjistralen Prishtinë-Podujevë dhe mungesa e një rreth-rrotullimi, ka shtyrë sot një numër të qytetarëve të Gllamnikut që të dalin në rrugë dhe të protestojnë. Ata kanë bllokuar njërën pjesë të magjistrales Podujevë – Prishtinë për shkak të pakënaqësive, duke thënë se mungesa e vendosjes së një rreth-rrotullimi në këtë pjesë të rrugës po shkakton shumë aksidente.

Osman Bahtiri, banor i fshatit Gllamnik tha për KosovaPress se bëhet fjalë për nevoja urgjente të banorëve për ndërtimin e një rreth-rrotullimi, pasi mungesa e tij po ndikon në shkaktimin e shumë aksidenteve në trafik. “Qëllimi i këtij tubimi spontan nga banorët e fshatit Gllamnik është qëllimi i vetëm për të cilin jemi tubuar këtu dhe për dallim prej herëve të tjera është për një rreth-rrotullim, i cili kaherë na është premtuar këtyre banorëve për nevojat e tyre për kyçje në magjistralen Podujevë-Prishtinë. Ne si qytetarë, nëse qeveria nuk ndërmerr diçka do të jemi të obliguar që herën tjetër ta bëjmë mbylljen (bllokimin),” ka thënë ai.

Ai thotë se janë të gatshëm të lirojnë pronat nëse nevojitet për hapësira të ndërtimit të rreth-rrotullimit, por në mënyrë që ato të kompensohen në mënyrën e duhur. Ndërsa qytetari tjetër nga Gllamniku Ermal Osmani thonë se janë gjithsej 495 shtëpi që ndodhen në këtë zonë, andaj e sheh të arsyeshme krijimin e një rreth-rrotullimi në këtë pjesë të magjistrales Prishtinë-Podujevë. Protesta po vazhdon e qetë dhe automjetet po qarkullojnë lirshëm, teksa ajo po përcillet nga Policia e Kosovës. Ndryshe, viteve të fundit në Gllamnik janë shkaktuar një numër i konsideruar i aksidenteve, të cilat kanë përfunduar me të lënduar e dëme materiale. Aksidentet në trafik zakonisht ndodhin për shkak të pakujdesisë së shoferëve dhe  mosrespektimit të rregullave të trafikut e për shkak të shpejtësisë.
Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button