E detyruan të miturën të punonte si valltare dhe të ofronte shërbime seksuale, aktakuzë ndaj dy personave

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.P., dhe L.H., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Trafikimi me njerëz” dhe “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri M.P., gjatë periudhës kohore, Qershor – Korrik të vitit 2021 në Prizren, merr pjesë në trafikimin me njerëz dhe atë duke rekrutuar, strehuar dhe pranuar viktimën e trafikimit me anë të përdorimit të forcës dhe shtrëngimit apo të keqpërdorimit të një pozite të ndjeshme ose me anë të dhënies ose marrjes së pagesave nga e njëjta me qëllim të shfrytëzimit seksual të saj, në atë mënyrë që paraprakisht siguron viktimën e mitur, për të cilën e di se është e mitur dhe e rekruton të njejtën në lokalin e tij – klubin e natës ‘’NN’’ në Prizren, në mënyrë që e njëjta të punojë si e ashtuquajtur ‘’valltare’’ apo ‘’shoqëruese e klientëve’’, të cilës gjithashtu edhe i ofron strehim në dhomat e gjumit të lokalit në fjalë por edhe banesë në Prizren, me ç’rast me përdorim të forcës dhe shtrëngimit e detyron që e njëjta të ofrojë shërbime seksuale klientëve të ndryshëm, konkretisht edhe të pandehurit L.H, e cila në pamundësi që t’i rezistojë detyrimit me forcë, pa pëlqimin e saj është pajtuar që t’i ofrojë disa herë shërbime seksuale të pandehurit në fjalë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore.

Në këtë mënyrë, i pandehuri M.P., ka kryer veprën penale “Trafikimi me njerëz”, ndërsa, i pandehuri L.H., veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Back to top button