Akuza të reja në adresë të ish-këshilltarit të Donald Trumpit

Michael Flynn ka mbrojtur interesat e Turqisë?

Agjencia amerikane e lajmeve, Mek Lleçi, raportoi se para inaugurimit të Donald Trumpit për President të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Flynn, këshilltari i mëvonshëm i tij për siguri kombëtare, bllokoi planin ushtarak për të vepruar kundër Shtetit Islamik në Siri, plan ky i cili kundërshtohej nga Turqia dhe se ka marrë rreth 500 mijë dollarë, për të mbrojtur interesat turke, shkruan rtv21.tv

Sipas kësaj agjencie, Flynn ka refuzuar kërkesën e administratës së Barak Obamës për të miratuar operacionin kundër militantëve islamikë në Raka, duke zvarritur kështu dukshëm operacionin.

Plani në fund u miratua, por vetëm pasi që Flynn u shkarkua nga funksioni i këshilltarit për siguri kombëtare, pasi që kishte dezinformuar Shtëpinë e Bardhë për kontaktet e tij me zyrtarët rusë.

Siç dihet, Flynn kishte zhvilluar biseda të fshehta me ambasadorin e Rusisë në Uashington, në lidhje me heqjen e sanksioneve kundër Moskës. Ai jo vetëm që nuk njoftoi presidentin Donald Trump dhe zëvendës-presidentin, Majk Pens, në lidhje me këtë takim, por i gënjeu ata, duke ju thënë se një takim i tillë nuk është zhvilluar.

Në anën tjetër, gazeta Uashington Post, ka publikuar një bisedë të zhvilluar në vitin 2016, gjatë së cilës republikani me renome, Kevin Mekarti, përndryshe udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, kishte deklaruar se Trump gjendet në listën e pagave të presidentit të Rusisë, Vlladimir Putin.

Reagoi menjëherë Mekarti, i cili tha se bëhet fjalë për një shaka që ka bërë ai. Siç shkroi kjo gazetë, Mekarti gjatë një bisede me udhëheqësit tjerë republikanë në Kongres, kishte deklaruar se ekzistojnë dy njerëz, kongresisti nga Kalifornia, Dejna Rorbaher dhe Donald Trump, të cilët paguhen nga Putini.

Mekarti nuk deshi të komentoi incidentin për mediat amerikane, por shkroi në profilin e tij në Twitter se ka qenë kjo një përpjekje për të mirë shaka dhe se nuk e habit fakti se Uashington Post ka tentuar të bëjë lajm nga kjo çështje./21Media

Back to top button