Ali Gashi: Greva është kërkesë e punëtorëve të Kosovës dhe vetëm ata mund ta ndërpresin

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Ali Gashi, i tha RTV 21 se kërcënimi i Qeverisë së Kosovës ndaj grevistëve është i paligjshëm dhe shkel të drejtat e punëtorëve. Ai tha se sindikalistët janë të hapur për bisedime me Qeverinë, duke i cilësuar kërkesat e punëtorëve si të arsyeshme. Bisedën me kryetarin e Këshillit Grevist e zhvilloi kolegia Albulena Nuha.
RTV21: Greva e përgjithshme ka nisur sot. Ju thoni se jeni këmbëngulës deri në përmbushjen e kërkesave tuaja. Mund t’i qëndroni presioneve që mund të nisin mbi ju?
Ali Gashi: Po, siç jeni të informuar sot Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka hy në grevë. Kjo është vendos në bazë të kërkesave të punësuarve në Republikën e Kosovës, anëtarë të sindikatave, Federatës dhe Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe ne ashtu siç e kemi respektuar vendimin e tyre dhe kërkesat e tyre që të shpallim grevë këtë të drejtë e kanë po ata që në momentin që ata konsiderojnë që greva duhet të përfundojë atëherë ne e respektojmë prapë. Derisa ata insistojnë dhe kërkojnë që të realizohen kërkesat e arsyeshme ne si BSPK jemi të obliguar t’i respektojmë kërkesat dhe qëndrimet e anëtarësisë sonë.
RTV21: Ka pasur sot gjatë ditës kërkesa të Ministrisë së Financave dhe asaj të Ekonomisë për marrjen e listave të punonjësve që janë në grevë me qëllim të gjobitjes së tyre. Ju e keni cilësuar të kundërligjshme. Çfarë do të ndërmerreni në këtë rast?
Ali Gashi: Vetëm në bazë të deklarimeve dhe komunikatave të ndryshme të lëshuara nga institucionet e ndryshme kjo klasifikohet si shkelje e të drejtave të njeriut. Besoj që është një gabim teknik, sepse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do të duhej dhe nuk besoj që qëndron prapa një tendence të frikësimi e shantazhit sepse ne jemi të punësuar në institucionet e Kosovës dhe besoj që Qeveria ka respekt për të punësuarit. Pres reflektim të Qeverisë.
RTV21: A jeni të gatshëm ta riktheni dialogun social me Qeverinë e Kosovës dhe cilat kushte duhet ajo t’i plotësojë për t’u ulur në tavolinë?
Ali Gashi: BSPK ka qenë gjithmonë i gatshëm dhe i bëjë ftesë dhe e siguroj Qeverinë e Kosovës që jemi të gatshëm në çdo kohë dhe çdo moment për të gjetur një zgjedhje të pranueshme sepse kemi të bëjmë me kërkesa jashtëzakonisht të arsyeshme dhe pothuajse ligje që në një formë apo tjetër qeveria ka interes t’i hartojë dhe t’i zbatojë./21Media

Back to top button