Aliu: Ne s’kemi prona komunale, i privatizuan të fortit
Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka prezantuar sot hulumtimin “Reforma ligjore e planifikimit hapësinor të Kosovës në qorrsokak?!”, ku u tha se është i domosdoshëm përmirësimi i kornizës ligjore për Planifikim Hapësinor (LPH), qoftë përmes hartimit të ligjit të ri apo rishikimit të atij aktual dhe akteve nënligjore. Kjo pasi i njëjti, po vlerësohet të jetë ambicioz në raport me përmbushjen e kërkesave ligjore nga ana e komunave dhe kapaciteteve të tyre.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu tha se mungesa e një mekanizmi që vlerëson ligjin në fjalë, del të jetë problemi kryesor sa i përket planifikimit hapësinor, derisa theksoi se as plani zhvillimor nuk ka qenë i mirë.
Ai tha se Instituti i Planifikimit Hapësinor duhet të ngritet aty ku duhet të jetë, në mënyrë që të jetë mekanizëm me integritet të cilit nuk mund t’i ndërhyjë politika.
“Mendoj që defekti themelor tek ne është mungesa e një mekanizmi kredibil, i cili e vlerëson se a është ky ligj në rregull apo jo[…]A kanë qenë të përfshira në këtë reformë institucionet tona, a ka qenë ministria, a ka qenë institucioni? Jo. Pra edhe departamenti edhe instituti kanë qenë vetëm vrojtues në këtë ndërmarrje. Rrjedhimisht, origjina e këtij ligji është e dyshimtë. Nuk ka një legjitimitet, një kredibilitet në vendin tonë, pavarësisht se është votuar. Por, çka e solli nevojën për këtë reformë ligjore[…]Ne kemi gabuar rëndë atëherë dhe sot kur të flasim se si duhet të veprojmë, nuk duhet ta përsërisim gabimin e njëjtë. Duhet pasur autoritete kredibile të cilat e marrin këtë vendim[…] Kur kanë ardhur këto ligje, ai i ndërtimit dhe planifikimit hapësinor presionet në Kuvend kanë qenë të papërballueshme kanë qenë të përballueshme për krejt Kuvendin, në përjashtim të neve të Vetëvendosjes. Në fund e kanë mbyllë gojën krejt”, tha Aliu.
Ministri Aliu foli edhe për një problem tjetër që po pengon planifikimin hapësinor, e që siç tha ai, është shpronësimi. Ky problem sipas tij, buron nga privatizimi i pronave që kanë bërë të fortit.
“Cilin e kemi problemin themelor? Rrugë s’po mundemi me shpronësu në ‘Mati 1’. Tetë milionë euro të kushton rruga në ‘Ndue Përlleshi’, 900 mijë euro shpronësimi. 900 mijë ndërtimi, me e shpronësu 8 milionë. Qysh me e shpronësu 8 milionë. Qysh e zgjidhim ne këtë problem? Këto janë përgjigjet që duhet me na i dhënë neve sot planerët dhe instituti[…]Pra, paskemi problem pronën. Ne nuk kemi prona komunale, i kemi privatizuar, a na i kanë marrë të fortit, a komandantët, kushdoqoftë i kanë marrë. Ta kanë marrë në Han të Elezit, ta qetë haraçin, duhesh me pagu tash. Ai tjetri është i fortë, ti duhet me ikë prej tij”, tha Aliu.
Ndërsa deputetja Albena Reshitaj tha se në çështjen e planifikimit hapësinor ka munguar përkushtimi politik.
“Konsideroj që pa një presion shoqëror, përmes ekspertëve profesionalë është i vështirë një përmirësim institucional në vendin tonë. Ne të gjithë e dimë dhe jemi të vetëdijshëm për gjendjen e planifikimit hapësinor në vend, po pajtohemi që duhet avancim i kornizës ligjore me qëllim të planifikimit të mirëfilltë hapësinor. Në këtë drejtim të gjithë pajtohemi që kemi ngecje dhe si rezultat i kësaj konsideroj se është kontribuar edhe në degradim të mjedisit”, u shpreh ajo.
Të gjeturat e hulumtimit i prezantoi Lumnije Gashi e cila tha se ka kontradikta ligjore brenda Ligjit për Planifikim Hapësinor, nuk dihet ku fillon PZHK dhe HZK, ka kontradikta ndërmjet LPH me aktet nënligjore, dualizëm e të tjera. Derisa bëri të ditura edhe mangësi të tjera që ka ligji, Gashi tha se është i domosdoshëm përmirësimi i kornizës ligjore për planifikim hapësinor.
“Ligji aktual është ambicioz në raport me përmbushjen e kërkesave ligjore nga komunat sidomos dhe kapacitet e tyre aktuale që ato kanë. Prandaj, përmirësimi i kornizës ligjore është i domosdoshëm, qoftë përmes hartimit të ligjit të ri, që është zgjidhje ndoshta më e preferuar sepse këtu kemi probleme me sistemin, apo edhe rishikimit të ligjit aktual dhe akteve nënligjore që mund të jetë një zgjidhje afatshkurtër”, tha ajo.