Ambasadori gjerman: Simmons-it po i jepet hapësirë për të vazhduar fushatën e dezinformimit

 
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas raportimit të ish-kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons para Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.
Në një postim në Twitter, ambasadori është shprehur i habitur se “përse ende Kuvendi i Kosovës i ofron ish-gjyqtarit Simmons një platformë për të vazhduar me kampanjën e tij dezinformuese”.


Simmons ka thënë të hënën se misioni i EULEX-it nuk ishte “Mision i sundimit të ligjit, por Mision politik”.
Ai u shpreh se “EULEX-i ka pasur synim të largonte nga politika ‘peshqit e mëdhenj’”. Simmons i ka quajtur të turpshme vendimet në rastin e Drenicës e të Kleçkës. Megjithatë, të gjitha akuzat i ka hedhur poshtë Zyra e EULEX-it në Kosovë, që i ka quajtur deklarimet e tij të pavërteta dhe vetëm mendime personale.
Në reagimin e Zyrës së EULEX-it është thënë se Simmons është përfshirë në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me shkeljet, që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX dhe e cila ka për qëllim t’i shërbejnë motiveve dhe interesave të fshehta./21Media

Back to top button