Arrestohen 26 zyrtarë policorë, rekomandohet suspendimi i tyre

Inspektorati Policor i Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale ka realizuar sot operacionin e koduar me emrin “Pika 2” që ka filluar qysh në orët e hershme të mëngjesit në Prizren respektivisht në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.
Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “Marrje e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hetuesit e IPK-së muaj më parë kanë pranuar informacione përmes rrugëve operative lidhur me dyshimet për përfshirjen në aktivitetet të kundërligjshme të disa zyrtarëve policorë të punësuar në Drejtorinë Rajonale kufitare “Perëndimi” në Gjakovë, respektivisht pikë kalimit kufitar në Vërmicë.
Me autorizimin e Prokurorisë Speciale në kuadër të këtij hetimi nga hetuesit e IPK-së janë përshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit si dhe masat e nevojshme që të zbulojnë dhe të ruajnë gjurmët dhe provat tjera të veprave penale dhe sendet të cilat mund të shërbejnë si prova të cilat mund të përdoren në procedurë penale.
IPK në kuadër të operacionit “Pika 2” ka arrestuar sot 26 zyrtarë policorë, duke përfshirë dy rreshterë policorë dhe 24 zyrtarë policorë, që të gjithë të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” “marrje e ryshfetit”.
Si pjesë e procedurave administrative nga IPK-ja është dhënë edhe rekomandimi për suspendim nga detyrat e punës për zyrtarët tashmë të arrestuar.
Hetimi ka përfshirë edhe bashkëpunimin me SPAK-un dhe Agjencinë për Mbikëqyrje Policore – AMP-së që ka rezultuar me arrestimin e disa të dyshuarve edhe në  Shqipëri./21Media
 

Back to top button