Arrestohet edhe një i dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

Burime të “Betimi për Drejtësi” kanë konfirmuar se Policia e Kosovës e ka arrestuar të dyshuarin e katërt për vrasjen e Liridona Ademajt, vajzën 30-vjeçare, e cila u vra natën e 29 nëntorit në hyrje të Prishtinës.

I dyshuari i katërt është T.D., nga Novosella e Gjakovës. Ai po dyshohet se ia ka shitur armën dorasit.

Për këtë rast janë arrestuar deri më tash tre të dyshuar, në mesin e të cilëve edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli. Ky i fundit po hetohet si organizator i vrasjes së gruas së tij.

Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

Më 3 dhjetor, Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke ua caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për tre të dyshuarit për vrasjen e 30-vjeçarës, Liridona Ademaj-Murseli.

Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Liridonës janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si organizator i vrasjes, dorasi Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Back to top button