Arrestohet gazetarja turke për fyerje ndaj Erdoganit

Gazetarja turke, Sedef Kambas, është arrestuar dhe është dërguar në paraburgim për “fyerje ndaj Presidentit Reccep Tayyip Erdogan”, pasi tha një fjalë të urtë në televizion që u interpretua se i referohej Presidentit.
“Ka një fjalë të urtë të njohur që thotë se koka e kurorëzuar bëhet më e mençur. Por ne shohim që kjo nuk është e vërtetë. Kau që hyn në pallat nuk bëhet mbret, por pallati bëhet stallë”, tha gazetarja
Akuza parashikon një dënim me burg nga një deri në katër vjet.
Kryezëdhënësi i Erdoganit, Fahrettin Altun i përshkroi komentet e saj si të papërgjegjshme.
“Një e ashtuquajtur gazetare po fyen hapur presidentin tonë në një kanal televiziv që nuk ka qëllim tjetër përveç përhapjes së urrejtjes”, shkroi ai në Twitter.
Në deklaratën e saj në gjykatë, Kabas mohoi se kishte synim të fyente presidentin.
Redaktori i kanalit Tele1 Merdan Yanardag kritikoi arrestimin e Kabas.
“Ndalimi i saj brenda natës në orën 2 të mëngjesit për shkak të një proverbe është i papranueshëm. Ky qëndrim është një përpjekje për të frikësuar gazetarët, mediat dhe shoqërinë”, tha ai./21Media

Back to top button