Avdullah Hoti- Qeverisë: Dëshironi ta kontrolloni Këshillin Prokurorial, kot e keni

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti reagoi ndaj deklaratave të mbrëmshme të kryeministrit Albin Kurti lidhur me zhvillimet në MINT.

Sipas tij një kryeministër normal, kur përballet me situatë si ajo që ndodhi dje, kërkon nga drejtësia hetim të plotë e të shpejtë, si dhe e vendos veten dhe vartësit e tij në dispozicion të drejtësisë, raporton portali rtv21.tv

“Dyshimet rriten edhe për faktin se ky nuk i përgënjeshtron ato për të cilat ndodhën arrestimet, e ku përmendet edhe emri i tij, por i shanë mediat, opozitën dhe organet e drejtësisë. “, shkroi Hoti në Facebook.

Më tej ai duke iu referuar videos së mbrëmshme të Kurtit në të cilën i sulmon i gjyqtarët, prokurorët e mediat, Hoti aludon se  kjo qenka arsyeja pse kreu i qeverisë s’po e dekreton Kryeprokurorin e ri.

“Duket se kjo paska qenë arsyeja e insistimit të tij me çdo kusht, edhe pas opinionit të Komisionit të Venecias, që përmes ligjit ta kontrolloj Këshillin Prokurorial. Kjo paska qenë arsyeja pse ky nuk po i jep leje asaj ta dekretoj kryeprokurorin e ri. Kot e kanë.”, përfundoi ish kryeministri Avdullah Hoti.

Kryeministri Kurti, iu drejtua të premten mbrëma qytetarëve përmes një video-mesazhi ku i dha mbështetje ministres Rozeta Hajdari. Ai hodhi akuza edhe te prokurorët , prokurorët e gjykatësit duke thënë se po përpiqen ta kthejnë ‘sistemin e korruptuar”.

“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare. Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe. Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës”, deklaroi kreu Qeverisë./21Media

Back to top button