Azemi: Asnjë ndryshim me Kurtin, për dy vjet rreth 100 milionë euro për energjinë në veri

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se, përkundër premtimeve, Albin Kurti nuk ka ndryshuar sa i përket çështjes së pagesës së energjisë për qytetarët e komunave veriore me shumicë serbe. Në këtë parti thonë se në dy vitet e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje janë paguar rreth 100 milionë euro për faturat e energjisë së shpenzuar në veri, mjete këto të cilat i janë marrë qytetarëve të Kosovës në një mënyrë ose tjetër.

Ditë më parë, Gjykata Supreme refuzoi kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kundër gjykimit të Gjykatës së Apelit sa i përket faturimit të energjisë elektrike për pjesën veriore të Kosovës. Më 2017, Apeli mori vendim se është e jashtëligjshme që qytetarët e komunave të tjera të paguajnë energjinë për qytetarët e 4 komunave veriore.

Nga periudha 2012-2017 qytetarët e komunave të tjera kanë paguar rrymën për konsumatorët në veri. Nga viti 2017, përgjegjësia e pagesës për rrymën e shpenzuar në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i ka kaluar Qeverisë së Kosovës.

Gjithashtu në vendimin e Supremes theksohet se qytetarët kanë të drejtë që të kërkojnë t’ju kthehet shuma e paguar gjatë atyre pesë viteve. Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur më 2021 që Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) duhet të kompensojë qytetarët që paguan energjinë për veriun në vlerë mbi 40 milionë euro.

Koordinatori i Departamentit për Energji në LDK, Visar Azemi, deklaroi se Kurti është duke vijuar avazin e vjetër dhe duke paguar energjinë, prap duke iu marrë qytetarëve mjetet në një formë ose tjetër.

“Ka qenë një padrejtësi lidhur me atë se si janë diskriminuar qytetarët e tjerë, ku me anë të faturimit të tyre, është paguar edhe pjesa tjetër e faturës, të cilën qytetarët e pjesës veriore nuk e kanë paguar dhe kjo gjykatë (Supreme) dëshmoi edhe një herë se ajo ka qenë e padrejtë dhe se ky vendim i gjykatës tanimë obligon kompaninë (KEDS) bashkë me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, që ato mjete që janë paguar nga qytetarë të tjerë, të kthehen në çfarëdo forme që është e mundur apo gjendet si kompromis. Ne çfarë jemi duke parë akoma është se edhe kjo qeveri ka vazhduar avazin kur faturimi për pjesën veriore është paguar në një formë apo tjetër nga taksat e qytetarëve sepse kjo çfarë janë duke bërë tani, është prapë duke shkuar me subvencionim të asaj pjese”, deklaron Azemi.

Azemi thotë se për dy vite të mandatit të kësaj qeverie janë paguar rreth 100 milionë euro për faturat e energjisë në veri të Kosovës. Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me premtimet se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Qe dy vite pushtet, prej kur është kjo qeveri, është paguar rreth 100 milionë euro për faturat e energjisë elektrike në veri. Ne gjatë gjithë kohës kemi dëgjuar se në momentin kur këta vijnë në pushtet dhe marrin kontrollin e qeverisë, këto gjëra kanë për t’i ndaluar, faturimi për energjinë elektrike nga qytetarët e veriut nuk do të paguhet as nga qeveria, as nga qytetarët, por në realitet po shohim diçka tjetër. Ja ku e kanë mundësinë, ja ku e kanë atë të cilën ata e kanë kërkuar. Le të shtrijnë sovranitetin e tyre në pjesën veriore dhe le të kërkojnë që faturat e energjisë elektrike, të paguhen nga të gjithë ata të cilët e shfrytëzojnë energjinë elektrike. 100 milionë euro për dy vite pushtet”, vijon Azemi.

Në lidhje me vendimin e Supremes, që mbështet vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, për kompensimin e qytetarëve që paguan për rrymën e shpenzuar në veri, Azemi thotë se në këtë situatë të re të krijuar duhet të përfshihet edhe Qeveria e Kosovës.

“Meqë tani e kemi një situatë të re të krijuar rishtazi, me këtë vendim dhe me të drejtë qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë kthimin e mjeteve të tyre, të cilët kanë paguar padrejtësisht për energjinë që nuk e kanë shpenzuar vetë. Tani po presim involvimin e qeverisë, për të parë se si mund të tejkalohet nga kjo situatë dhe se si mund t’i marrin mjetet e tyre, qytetarët të cilët kanë paguar energjinë. Qeveria duhet të involvohet dhe të japë alternativë, për mënyrën dhe formën e subvencionimit të këtyre faturave”, përfundon Azemi.

Për çështjen e energjisë së shpenzuar në veri, Kosova dhe Serbia patën arritur një marrëveshje me 2013 si dhe një Udhërrëfyes për zbatim më 2022. Por, në atë pjesë të vendit, vijon të mos faturohet energjia elektrike.

Back to top button