Banorët e zemëruar kërkojnë përgjigje pas shpërthimit në Bejrut

 

Njerëzit në Bejrut kanë shprehur zemërimin ndaj qeverisë për ato që ata thonë se ishte neglizhenca që çoi në shpërthimin e madh të së martës.

Presidenti, Michel Aoun tha që shpërthimi ishte shkaktuar nga 2 mijë e 750 ton nitrat amoniumi të ruajtur në mënyrë të pasigurt në një depo.

Shumë kanë akuzuar autoritetet për korrupsion, neglizhencë dhe keqmenaxhim.

Shpërthimi mori jetën e të paktën 135 njerëzve dhe më shumë se 4000 të tjerë mbetën të lënduar.

Një gjendje e jashtëzakonshme dyjavore ka filluar në Bejrut, transmeton rtv21.tv.

“Bejruti po qan, Bejruti po ulërin, njerëzit janë histerikë dhe të lodhur”, tha regjisori Jude Chehab për BBC, duke bërë thirrje që njerëzit përgjegjës të përballen me drejtësinë.

Chadia Elmeouchi Noun, një banor i Bejrutit aktualisht në spital, tha: “Unë e kam ditur gjatë gjithë kohës që jemi të udhëhequr nga njerëz të paaftë, qeveria jokompetente […] Por unë po ju them diçka – ajo që ata kanë bërë tani është absolutisht kriminale”.

Të mërkurën, qeveria njoftoi se një numër i zyrtarëve të portit të Bejrutit u vendosën në arrest shtëpiak në pritje të një hetimi mbi shpërthimin.

Këshilli i Lartë i Mbrojtjes i vendit këmbënguli që ata që konsiderohen përgjegjës do të përballen me “dënimin maksimal”./21Media

Back to top button