Basha: Shqipëria po vuan

Basha tha se Shqipëria po vuan për shkak të mos përmbushjes së premtimeve nga ana e kryeministrit Edi Rama

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë një tubimi zgjedhor sot në Tiranë, tha se Shqipëria po vuan për shkak të mos përmbushjes së premtimeve nga ana e kryeministrit Edi Rama, ndërsa u zotua se nën qeverisjen e tij prioritet kryesor për vendin do të jetë zhvillimi ekonomik.

Basha gjatë takimit me qytetarë e banorë të zonës së Unazës së Re në Tiranë u ka shpjeguar nga afër planin e tij ekonomik që do të çlirojë energji, të rrisë konsumin, do të sjellë të ardhura në xhepin e shqiptarëve, si dhe do të krijojë vende pune dhe nxitje të prodhimit.

“Ekonomia do të jetë prioriteti im i palëkundur”, tha Basha.

Ai siguroi pronarët e biznesit të vogël se detyrimi i tyre do të jetë vetëm 1.5 për qind e xhiros vjetore, dhe një pullë në xham që tregon shlyerjen e kësaj shume, do të mbajë larg tatimorët dhe abuzuesit që kanë lodhur e grabitur dyqanet e njësitë tregtare gjithë këto vite.

Studentët dëgjuan nga Basha planin për ta anuluar ligjin e arsimit të lartë, dhe ardhjen në fuqi të një ligji të ri që do sjellë studentin në vendimmarrje, do ulë tarifat e do ta bëjë të mundur për këdo që të ndjekë shkollën e lartë, pavarësisht gjendjes së tij ekonomike.

Kryetari i opozitës u tha qytetarëve se Shqipëria po vuan jo vetëm mos mbajtjen e premtimeve nga Edi Rama, por sidomos faktin se ai nuk bëri asnjë përpjekje në 4 vite dhe zgjodhi prioritete të gabuara që nuk ishin në interesin e njerëzve, por të lidhura me tekat e tij.

Back to top button