Bërnabiq arrin në Kosovë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, arriti të hënën në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe – subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës – si dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.
Paraprakisht u mblodhën edhe punonjës të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit serb. Ata mbanin në duar pankarta me fjalë përkrahëse, të tilla si: “Derisa e kemi [presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje”.
Kjo është vizita e parë e Bërnabiqit në Kosovë prej se është zgjedhur kryetare e Qeverisë serbe, në vitin 2017.
Gjatë qëndrimit njëditor, ajo do të vizitojë komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq – ku popullata shumicë është serbe.
Më 2 shtator, autoritetet e Kosovës lejuan vizitën e saj, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve politikë.
Në delegacionin e Bërnabiqit është edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe drejtori i Zyrës për Teknologji informative dhe e-Qeverisje, Mihaillo Jovanoviq.
Pritet që Bërnabiq të mbajë një fjalim para Qendrës Multimediale në Mitrovicën e Veriut.
Më herët, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë tha se kjo vizitë është “domethënëse dhe e rëndësishme” dhe se qëllim i saj është ruajtja e paqes dhe stabilitetit.
Vizita e Bërnabiqit në komunat veriore të Kosovës vjen pasi Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse-dalëse, të cilat Serbia ua lëshonte qytetarëve të Kosovës qysh në vitin 2011.
Kur Qeveria e Kosovës ndërmori masa reciproke nga 1 gushti, disa serbë lokalë në veri ngritën barrikada, për t’i penguar autoritetet në zbatimin e vendimit të tyre.
Për shkak të rritjes së tensioneve, Prishtina zyrtare e shtyu zbatimin e atij vendimi për 30 ditë.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërhynë, duke biseduar me palët si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd./rel

Back to top button