Biancardi: Kapitali i Kosovës në 25 vitet e fundit është rritur dhjetëfish
Alessandro Biancardi, zëvendës drejtues i BE-së në Kosovë për emisionin “Start Up” të RTV21, tha se zhvillimi ekonomik i Kosovës jo vetëm në 15 vite, por edhe në 25 vitet e fundit ka qenë mjaft i mirë. Sipas tij ka ngritje të vazhdueshme të kapitalit të Kosovës që në 25 vjetët e fundit është rritur 10 fish më shumë.
Duke folur për të ardhmen e Kosovës në aspektin e zhvillimit ekonomik ai tha se është me proceset që po zhvillohen dhe se Bashkimi Evropian është shumë i prirur që të ecin me Kosovën për të arritur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Bisedën e zhvilloi Gjylshahe Beqiri
RTV21: Nga perspektiva e Bashkimit Evropian, si e shikoni zhvillimin ekonomik të Kosovës brenda 15 vjetëve të pavarësisë? Dhe cilat janë arritjet më të mëdha të kësaj periudhe që nga deklarata e Pavarësisë?
Alessandro Biancard: Më duhet të them që zhvillimi ekonomik i Kosovës jo vetëm në 15 por edhe në 20 – 25 vjetët e fundit ka qenë mjaft i mirë. Ne kemi parë për shembull ngritjen e vazhdueshme të kapitalit të Kosovës, në 25 vjetët e fundit është rritur 10 fish më shumë. Sigurisht kjo është një mesatare e cila nuk mund të krahasohet me vendet e tjera evropiane.
Duhet thënë po ashtu që zhvillimi ekonomik i Kosovës ka përfituar shumë prej pozitës së vet, duke qenë shumë afër me vendet e tjera evropiane dhe tregjet e tyre. Gjithashtu një tjetër përparësi e Kosovës është se në vitet e fundit ka pasur ngritje poashtu në aspektin e hapjes së tregtisë me vendet e tjera që është poashtu shumë e rëndësishme.
Së bashku me zhvillimin e infrastrukturës si ndërtimi i rrugëve, ndërtesave dhe pjesëve të tjera të nevojshme infrastrukturore që lehtësojnë zhvillimin ekonomik. Kosova poashtu ka filluar edhe digjitalizimin e ekonomisë që është një proces në zhvillim e sipër e që po ecën shpejt. Po ashtu edhe nëse flasim në aspektin e edukimit, Kosova çdo ditë e më shumë po futet në rrjetën e zhvillimit të asaj çfarë kërkon tregu botëror.
Por sigurisht sfidat janë ende të mëdha, më duhet ta them se nga perspektiva e Unionit Evropian që nga viti 2016 benefitet e Kosovës, të themi që nga marrëveshja e Bashkimit Evropian, ka hapur Kosovën përballe miliona konsumatorëve evropianë, kjo është poashtu një tjetër arritje e madhe për ekonominë e Kosovës.
Një tjetër element i rëndësishëm që nuk duhet ta harrojmë është edhe fakti që kur flasim për zhvillim ekonomik ne gjithashtu duhet të mendojmë për qëndrueshmërinë e tij, që të jetë një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.
Një tjetër element shumë i rëndësishëm që ka ndihmuar Kosovën në vitet e fundit që të arrijë të vazhdojë të ketë stabilitet ekonomik është poashtu edhe ekonomia e gjelbër e cila nuk mendon vetëm për zhvillim ekonomik por edhe për të drejtuar Kosovën, në rrugën e duhur kur është fjala për të ruajtur resurset natyrore në një mënyrë sa më të qëndrueshme. Pra ky është një element që nga këndvështrimi ynë Kosova duket të jetë në rrugë të drejtë. Nëse më lejohet do të përmendja poashtu edhe sfidat që Kosova ka përpara. Njëra nga to është kriza me energjinë elektrike. Një tjetër krizë poashtu është edhe ndikimi që ka pasur pandemia Covid 19. Lufta në Ukrainë. Të gjitha këto kriza disi kanë pasur ndikim edhe në ekonominë e Kosovës. Më duhet të përmend edhe një tjetër sfidë shumë të rëndësishme për Kosovën, ajo duhet të bëjë ekonominë e saj më fleksibile, dhe më të adaptueshme karshi krizave globale.
RTV21: Cilat janë vështirësitë më të mëdha të Kosovës në aspekt të zhvillimit ekonomik gjatë kësaj periudhe?
Alessandro Biancardi: Sikur e përmenda, përkundër që Kosova është në një trajektore pozitive drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, ka ende sfida të konsiderueshme që duhet të zgjidhen. Ende kemi shkallë të lartë të papunësisë, që veçanërisht po ndikon te të rinjtë, ende kemi pabarazi, një hendek, në mes të punësimit të meshkujve dhe femrave, meqë femrat ende nuk janë në të njëjtin nivel të punësimit si meshkujt. Dhe pokështu, sektori i arsimimit, përkundër progresit, akoma ka nevojë që të përafrohet me kërkesat e tregut. Bizneset ende po vuajnë në mungesë të qasjes në resurseve financiare për të mbijetuar, kështu që ato ende nuk janë në gjendje që ta përballojnë krizën. Ka biznese të vogla, mikro kompani që kanë nevojë të mbështeten me qasje në financa. Dhe sigurisht që infrastruktura ende duhet përmirësuar, veçanërisht digjitalizimi i ekonomisë duhet zhvilluar më tej, digjitalizimi i sektorit të arsimimit… Kështu, janë gjithë këto lloje të sfidave, për të cilat sfida Bashkimi Evropian është duke u përpjekur ta ndihmojë Kosovën që nga viti 1999, është duke furnizuar Kosovën me asistencë. E të mos harrojmë se Bashkimi Evropian është partneri kryesor tregtar i Kosovës. E pokështu, në aspekt të asistencës financiare, është donatori kryesor i Kosovës. Ne jemi duke furnizuar me resurse, fonde… Të jap vetëm disa të dhëna që nga viti 2017 deri më tani, ne kemi furnizuar përmes asaj që njihet IPA, me gati 1.5 miliard euro. Kemi asistuar Kosovën për të tejkaluar të gjitha sfidat që ka pasur, në aspekt ekonomik të zhvillimit ekonomik, zhvillimit shoqëror, çështjeve mjedisore. Kështu, në thelb, ne kemi punuar bashkë me Kosovën në nivele të ndryshme, jemi duke punuar me qeverinë qendrore, por po punojmë edhe me qeveritë lokale, me komunat, e pokështu edhe me shoqërinë civile, për të provuar që të tejkalohen këto sfida.
RTV21: Si e shikoni zhvillimin e sektorit privat në Kosovë?
Alessandro Biancardi: Sikur e kam përmendur shkurtimisht më herët, sektori privat në Kosovë është i përbërë nga biznese të vogla dhe mikro-biznese. Biznese të tilla ka edhe në Bashkimin Evropian, dhe këto janë shtylla kurrizore e ekonomisë, sepse ato janë dinamike dhe inovative. Por, sigurisht se duheni t’i ushqeni ato, duhet t’i ndihmoni ato. Ende ka shumë për tu bërë në këtë aspekt. Definitivisht ka nevojë që të bëhet klasifikimi i bizneseve, pra që thelbësisht të klasifikohen produktet që sektori privat mund të ofrojë, jo vetëm në aspekt të prodhimeve por edhe të shërbimeve të tyre. Në këtë aspekt, unë shoh një komunitet vibrant biznesi, por që ende ka nevojë që të mbështetet. Dhe kjo është pjesë e mbështetjes që Bashkimit Evropian po jep për mikro-bizneset dhe për bizneset e vogla e të mesme. Për shembull, sa për të përmendur një hap të vogël por të rëndësishëm që u ndërmor së fundmi, ne dhuruam një pako asistence për Qeverinë e Kosovë për të përballuar krizën energjetike, pjesë e fondeve u alokua për mbështetje pokështu do të ndihmojë për të financuar, për të dhënë grante për mikro-bizneset dhe bizneset e vogla, në mënyrë që të përmirësohet efiçenca e energjisë dhe kjo në fakt do të ndihmojë që ato ta përmirësojnë produktivitetin e tyre.
RTV21: Si e shihni të ardhmen e zhvillimit ekonomik të Kosovës nga perspektiva e Bashkimit Evropian?
Alessandro Biancardi: Sfidat janë të shumta, por në anën tjetër po shoh se Kosova po rreshtohet cdo herë e më shumë me politikat dhe standardet evropiane. Jam shumë i kënaqur me proceset që po zhvillohen. Është e vështirë, nuk e mohoj se është vështirë, por Bashkimi Evropian është qartësisht shumë i prirur që të ecë bashkë me Kosovën, dorë më dorë, për të arritur zhvillim të qëndrueshëm ekonomik që është çdo herë e më shumë i rreshtuar me Bashkimin Evropian. Nga aspekti personal shoh një të ardhme të ndritur, të vështirë, por definitivisht një të ardhme ku Bashkimi Evropian do të ecë bashkë me Kosovën./21Media