Bie importi i mallrave nga Serbia, Rafuna: Produktet serbe po zëvendësohen nga Shqipëria
Masa e sigurisë e vendosur tre muaj më parë nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe ka ndikuar që të rritet importi në vendin tonë nga Shqipëria dhe Maqedonia Veriore.
Produktet nga Serbia po zëvendësohen po ashtu edhe me produkte nga Bashkimi Evropian.
Sipas raportit të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës vendet e CEFTA-s në muajin korrik 2023, arritën në 73,9 milionë euro, ose 14,4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 16,4%. Sipas këtij raporti vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,9%), Shqipëria (5,4%), Serbia (1,3%).
Megjithatë, ekspert të ekonomisë kërkojnë që masa ndaj produkteve të Serbisë të analizohet nga Qeveria, pasi që sipas tyre, kjo është në dëm të vendit. Ndonëse sipas komuniteti të biznesit në Kosovë, disa brende ndërkombëtare, veçanërisht nga Gjermania, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia që operojnë edhe në Serbi e për destinim eksportin në Kosovë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulëzim Rafuna, thotë se nga statistikat shihet se ka një ngritje të importeve të mallrave sidomos nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas Rafunës produktet që nuk janë importuar nga Serbia, kanë filluar të zëvendësohen nga shtetet fqinje.
“Sa i përket sasisë së importit të produkteve, ato të cilat nuk janë importuar prej Serbisë, tani kanë filluar të importohen prej vendeve tjera, të rajonit, por edhe prej vendit të BE-së. Në qoftë se shihen statistikat kemi një ngritje të importeve sidomos nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe këto janë indikacione që produktet e ngjashme po importohen që nuk kanë mundur të importohen nga Serbia, për shkak të vendosjes së masave nga Kosova, tani janë zëvendësuar edhe produkte që importohen nga këto dy vende. Por, më shumë kemi edhe rritje të importeve edhe nga vendet e BE-së, kështu kanë filluar të zëvendësohen me produkte të vendeve të BE-së. Çështja e çmimit, ne nuk kemi pa ndonjë lëvizje që ka ardhur si rezultat i kësaj mase, ngritjes së çmimeve, ka ndodhur si rezultat i inflacionit të cilin e kemi importuar… Rënia e importit nga Serbia për produktet finale, ka ardhur po ashtu si rezultat i masës së vendosur nga Qeveria e Kosovës, ajo e sigurisë”, thotë Rafuna.
Po ashtu Rafuna thotë se kompanitë e huaja që operojnë në Serbi kanë shprehur shqetësimin për masën e sigurisë të vendosur nga Kosova.
“Edhe shumë kompani të huaja të cilat janë të vendosura në Serbi, gjatë vizitës në ambientet e Odes Ekonomike të Kosovës na kanë shprehur shqetësimin e tyre për shkak se është fakt se ato produkte eksportohen nga Republika e Serbisë, mirëpo është edhe fakt se ato produkte prodhohen prej kompanive të cilat janë sidomos të shteteve mike të Kosovës që kanë kontribuar prej 99’ në zhvillimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Janë përafërsisht 600 kompani gjermane që prodhojnë në Serbi, më pas kemi shumë kompani italiane, amerikane, turke të cilat janë të vendosura dhe prodhojnë në Serbi e produktet e tyre i eksportojnë në Kosovë dhe vende tjera të Ballkanit dhe i shpërndajnë në Evropë. Kërkesa jonë ka qenë që bizneset e Kosovës para vendosjes së çdo mase ta kenë një periudhë që të njoftohen paraprakisht për ndonjë masë që futet në fuqi, që të mos befasohen në minutën e fundit”, thekson ai.
Edhe njohësi për çështje ekonomike, Safet Gërxhaliu thekson se kjo masë nuk është më e duhura për Kosovën.
Sipas ish-kryetarit të OEK-ut masa e sigurisë më shumë e dëmton Kosovën.
“Dialogu duhet të jetë një mekanizëm kyç. Në këtë drejtim besoj se masat shumë e dëmtojnë Kosovën sesa që e mbrojnë, bazuar në faktin se nëse bëhet një analizë e strukturës së importeve nga Serbia, shumë më tepër kemi lënë të parë dhe gjysmë produkte që finalizohen në prodhimin e Kosovës, sesa që janë prodhime për finale. Kosovës në këtë mungesë stabiliteti politik nuk i duhet luftë apo betejë ekonomike me vend dhe fuqitë evropiane që kanë investuar në Serbi. Fakti se në Serbi ka më shumë se 400 prodhues evropianë apo botërorë, është diçka që duhet të analizohet mirë”, thotë Gërxhaliu.
Ndërkaq, sa i përket kësaj çështje ka reaguar edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të rishqyrtojë masat që kufizojnë importet nga Serbia, e të cilat pengojnë interesat komerciale ndërkombëtare, përmes kufizimit të qarkullimit të mallrave nga markat e njohura botërore.
Në reagimin e OEAK-s thuhet se sipas të dhënave zyrtare të shqyrtuara nga Oda Amerikane, importet nga kompanitë me pronësi të konsiderueshme amerikane kanë rënë me mbi 39 për qind krahasuar me vitin 2022, duke theksuar ndikimin e konsiderueshëm që masat aktuale të Qeverisë së Kosovës kanë mbi ndërmarrjet ndërkombëtare.
“Ndalimi, i cili synon Serbinë dhe produktet e importuara nga ky shtet, në fakt ndikojnë në masë të madhe në kompanitë ndërkombëtare. Shumë prej këtyre bizneseve, janë në pronësi të kompanive nga shtetet partnere, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qenë shtylla kyçe në mbështetjen e trajektores së rritjes së Kosovës”, thuhet në reagim.
Masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor nga Qeveria e Kosovës, atë ditë kur ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.
Ndërkohë, Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë ndaj mallrave, duke hequr masën e sigurisë vetëm për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte./kp