Bislimi dhe Petkoviq takohen javën e ardhshme në Bruksel

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq do të takohen në Bruksel javën e ardhshme, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë në Bruksel të martën.

“Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak, ftoi negociatorët kryesorë në Bruksel javën e ardhshme për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit për zbatimin e saj”, tha një zëdhënës i BE-së në një përgjigje me shkrim.

Pritet që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që do të mundësojnë zbatimin e plotë të këtyre marrëveshjeve pa vonesa të mëtejshme, shtoi ai.

Duke iu referuar takimit joformal që Miroslav Lajçak pati me Besnik Bislimin në Bratislavë të hënën më 10 korrik, ky burim tha se është arritur një marrëveshje për hapat e parë prioritar të Kosovës në të tri fushat.

Sipas zëdhënësit, kjo do të thotë se Kosova menjëherë zvogëlon praninë e policisë në dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, se rregullisht kryen vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe KFOR-in dhe nëse është e nevojshme, vlerëson mundësinë e reduktimit të mëtejmë të tyre.

Kjo nënkupton gjithashtu se Kosova nuk ndërmerr asnjë hap që mund të përshkallëzojë situatën, si dhe të punojë për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale dhe vendosjen e fajit të nevojshëm ligjor që ato të ndodhin.

Takimi i paralajmëruar për javën e ardhshme do të jetë i pari që nga përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës dhe tensionet e reja mes Beogradit dhe Prishtinës.

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button