Tahiri për Testin e Arritshmërisë: Test i marrëzisë, do të kërkojmë që të suspendohet ky proces

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se Testi i Arritshmërisë dhe ai i Maturës, kanë qenë dy procese që sipas tij, Ministria e Arsimit i ka mbikëqyrur në mënyrë “aspak profesionale dhe kaotike”.

Tahiri ka thënë se viktima të këtij procesi “të menaxhuar dobët” nga ana e MAShTI-t, janë vetë nxënësit.

“Është e papranueshme tendenca e MASHT-it për të shpërndarë përgjegjësinë, ku s’i kursyen as nxënësit, për një proces për të cilin nuk siguroi as menaxhim, as mbikëqyrje, as informim, as cilësi. Në fakt, nxënësit janë viktima të një menaxhimi të dobët”, shkroi Tahiri.

“Testi i Arritshmërisë po kthehet në test të marrëzisë!”, u shpreh ai.

Tahiri listoi dy arsye për komentet që i bëri.

“Për muaj me radhë, nuk pati asnjë informim nga MAShT, se cila është rëndësia e Testit të Arritshmërisë dhe maturës, sikurse nuk kishte as informim as sensibilizim zero. Gjithçka rutinë. Përgjatë gjithë kohës nuk pati asnjë debat rreth asaj se si mund të përgatiteshin më mirë nxënësit, dhe çfarë mund të bënin mësimdhënësit dhe prindërit në këtë drejtim. Pra as informim as përfshirje, sikur dështimi dhe mos arritshmëria e nxënësve të ishte qëllim”, tha Tahiri.

“Pas daljes së rezultateve dhe me evidentimin e menaxhimit të keq, do të bëjmë dy veprime: Do të ftojmë në interpelancë ministren e MAShT-it; Do të kërkojmë votim të një Rezolute për suspendimin e këtij procesi, gjithmonë në bazë të evidencës”, përfundoi Tahiri. /21Media

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button