Bislimi: Grafitet nacionaliste dhe pro Kremlinit duhet të dënohen nga të gjithë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi bashkë me minsitrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë takuar të martën zëvendëssekretarin e përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në EEAS, Charles Fries, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefin e EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.
Në këtë takim ku është diskutuar për situatën në veri, Bislimi ka thënë se grafitet nacionalistë dhe pro-Kremlinit tregojnë motivet prapa veprimeve të dhunshme.
Siç është bërë e ditur nga Zyra e Kryeministrit, derisa palët kanë diskutuar për zhvillimet në veri, Bislimi ka dënuar dhunën e përdorur ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, duke shtuar se protesta është keqpërdorur nga bandat kriminale të dirigjuara nga Beogradi për qëllimet dhe motivet e tyre kriminale.
“Grafitet nacionaliste dhe pro-kremlinit nga ekstremistë të maskuar e grupe kriminale, janë po ashtu tregues kryesorë të motiveve prapa veprimeve të dhunshme, të cilat duhet të dënohen ashpër nga të gjithë”, ka thënë ai.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?