Bislimi në Parlamentin Evropian kërkoi heqjen e vizave

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, të zhvilluar në Strasbourg, zëvendëskryeminisri Besnik Bislimi, theksoi qëndrimin e Kosovës ndaj konfliktit në Ukrainë, duke u bashkuar me sanksionet e aplikuara nga BE kundrejt Rusisë.
Ai i njoftoi parlamentarët që ishin prezent për rezolutën e miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e cila dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe faktin se Kosova i është bashkuar frontit demokratik pas përgjigjes në mënyrë të unifikuar të BE-së.
“Përsa i përket aplikimit për anëtarësim në BE, Rezoluta e Parlamentit Evropian që i bën thirrje institucioneve të BE-së për t’i dhënë Ukrainës statusin e vendit kandidat në BE është shumë inkurajuese edhe për ne. Në këtë drejtim, ritheksova progresin e Kosovës në kuadër të agjendës evropiane ERA II si dhe progresin e shfaqur në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik si dhe nevojën e përshpejtimit të procedurave për anëtarësimin në BE. Kjo, edhe për shkak të situatës gjeopolitike në Evropë dhe parandalimin e influencës ruse në Ballkan. Faktor shqetësues është fakti se Serbia ka dështuar të harmonizojë politikat e saj të jashtme me BE-në për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Gjithashtu bëra thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën ku Parlamenti ka votuar dy herë pro procesit të liberalizimit të vizave në Kosovë, por qytetarët e vendit mbeten akoma të izoluar,ndaj është e nevojshme përmbyllja e këtij procesi”, shkroi Bislimi në Facebook.
Ai potencoi objektivin kryesor gjeopolitik dhe strategjik të Kosovës i cili është anëtarësimi i ardhshëm në BE, dhe dy synime të tjera që përfshijnë heqjen e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës./21Media

Back to top button