Bombola djeg apartamentin në Shkodër, shpëtojnë burrë e grua

 

Bombola e gazit për pak u kthye në tragjedi në një familje në qytetin e Shkodres. Ngjarja u regjistrua në katin e pestë të një pallati në lagjen “Ura Dervishbeg”, në familjen Dashi.

Ka qënë kryefamiljari 75 vjeçar, Haziz Dashi, i cili në pjesën e ballkonit ka qenë duke provuar bombolën e sapombushur të gazit nëse ka apo jo rrjedhje, për të finalizuar montimin e saj, kur kjo e fundit ka marrë flakë.

Ai ka nxituar së bashku me bashkëshorten 70 vjeçare të bëjë fillimisht fikjen e saj, por ka qenë e pamundur, prandaj ka kërkuar ndihmë, ndërsa ka arritur të lërë banesën.

Kanë qenë fqinjët që njoftuan shërbimin zjarrfikës, por flakët që nuk vonuan të përhapen shkaktuan djegien e plotë të banesës.

Për minuta të tëra flakët e dala jashtë kontrollit shkaktuan dëme në banesë dhe panik në zonë, ndërsa shërbimi zjarrfikës u detyrua të ndërhyjë me 2 mjete për fikjen e tyre.

Situata u bë edhe më e vështirë pasi mjetet nuk munden të afrohen pranë hyrjes së pallatit për shkak të ndërtimeve informale.

Në ndihmë të efektivëve të shërbimit zjarrfikës shkuan edhe forcat policore, si dhe një autoambulancë, megjithësë fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.

Operacioni ka zgjatur më shumë se 60 minuta, ku efektivëve të zjarrfikëses i është dashur që përveç shuarjes së flakëve, të bëjnë nxjerrjen jashtë të dy bombolave të gazit që gjendeshin në objekt.

Grupi hetimor nisi punën për të sqaruar të plotë këtë ngjarje që fatmirësisht u mbyll pa demtime në njerez, por me dëme të shumta materiale si në familjen Dashi, ashtu edhe tek fqinjët, pasi uji i përdorur për fikjen e zjarrit, ka përfunduar në katet e poshtme. /oranews

 

Back to top button