Bordi i shkarkuar i Trepçës: U shkarkuam pa paralajmërim

“Qeveria e Re nga ngutia për të kapur institucionet merr vendime të pa matura”

Bordi Mbikqyrës  i i Trepçës reagoi pas shkarkimit nga Qeveria e Kosovës. Sipas tyre qeveria e mori vendimin për shkarkim pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë takim paraprak të ministrisë përgjegjëse me anëtarët e bordit mbikëqyrës. Ata thanë se njoftimin e morën përmes mediave.

Tutje sipas reagimit të dy pretendimet e ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdari, që shpien deri në shkarkimin e këtij bordi janë të paqëndrueshme.

“Sa i përket pretendimit të parë të ministres Hajdrari, lidhur me qiratë, e informojmë ministren dhe të gjithë opinionin publik, se të hyrat primare të ndërmarrjes Trepça janë nga përpunimi dhe shitja e xehes, kurse menjëherë pas të hyrave nga shitja e koncentratit, si të hyra sekondare ndërmarrja numëron pronat dhe depot e lëshuara me qira të cilat nuk shfrytëzohen nga ndërmarrja. Trepça që nga paslufta ka të lëshuara dhjetëra prona dhe depo me qira nga të cilat gjeneron të hyra. Qiradhënia dhe menaxhimi i patundshmërive është edhe aktivitet biznesor i ndërmarrjes Trepça sh. a., aktivitete që dëshmohen edhe në certifikatën e biznesit të lëshuar nga Agjencia për Regjistrimin e Biznesve, si dhe parashihet me Statutin e Trepça sh.a.”, thuhet në reagim.

Sipas Bordit të shkarkuar pretendimi i dytë i ministres ka të bëjë me konkursin e shpallur nga Trepça për punësimin e më shumë se 200 të rinjve.

“Edhe në këtë rast, ministrja duket se nuk e ka të qartë mënyrën e funksionimit të ndërmarrjeve publike për shkak që ky numër i punëtorëve të rijnë ka qenë i paraparë në Planin e Biznesit të Trepça sh.a., plan ky i propozuar nga menaxhmenti dhe miratuar nga Bordi Mbikëqyrës. Për më shumë, edhe kjo është kompetencë ekskluzive e menaxhmentit për mbarëvajtjen e punës operative dhe në qëllim të rritjes së kapaciteteve prodhuese.” thuhet në reagim.

Bordi i shkarkuar i Trepçës thotë se ministrja e re, së pari do të duhej ta vizitonte Ndërmarrjen Trepça, t’i takonte udhëheqësit e ndërmarrjes, të bënte një analizë të mirëfilltë për të gjithë situatën, e më pastaj të mendonte lidhur me hapat që duhet ndërmarrë.

“Por, si duket, Qeveria e Re nga ngutia për të kapur institucionet dhe ndërmarrjet publike merr vendime të pa matura të cilat do t’i kushtojnë operimit të mirëfilltë të këtyre institucioneve. Gjithashtu, kjo ministre nga ngutia për shkarkime nuk e ka lexuar Ligjin për Trepçën dhe nuk e din që Trepça është e rregulluar me Ligj të veçantë me dy aksionarë, kështu duke propozuar edhe shkarkimin e përfaqësuesit të dytë në Bord. Shkarkimi i Bordit bëhet nga aksionarët dhe përfaqësuesin e aksionarit të dytë, kanë mundur ta shkarkojnë vetëm punëtorët si aksionarë me 20% të aksioneve të Trepçës, por jo edhe ministrja.”, thuhet në reagim./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button