Borrell dorëzon raportin për masat ndaj Kosovës, nuk dihet ende përmbajtja e tij

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, e ka dorëzuar raportin e tij për masat shtrënguese ndaj Kosovës vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, i ka thënë RTV 21, një zëdhënës në Bruksel, Peter Stano.

Raporti, përmbajtja e të cilit ende nuk është bërë e ditur, vlerëson nëse Kosova ka përmbushur të gjitha parakushtet për heqjen e masave shtrënguese, të cilat iu vunë një vit më parë pas tensioneve në veri.

Nuk është ende e qartë nëse Josep Borrell mund të ketë rekomanduar heqjen e masave ndaj Kosovës, sado që zyrtarët në Bruksel kanë thënë se ai e ka dorëzuar tashmë raportin e tij tek vendet anëtare. Zëdhënësi I BE-së, Peter Stano ia ka konfirmuar RTV21 dorëzimin e raportit por ka thënë se ai është I brendshëm dhe se për përmbajtjen e tij nuk do të diskutojnë.

“Raporti i Përfaqësuesit të Lartë iu është dorëzuar vendeve anëtare. Ata tani do të diskutojnë për masat ndaj Kosovës mbi bazën e këtij raporti dhe do të vendosin se çfarë do të bëjnë me masat. Raporti është I brendshëm dhe I hartuar për vendet anëtare, prandaj nuk do të diskutojmë për përmbajtjen e tij në public”, tha Stano për rtv21.

Mësohet se diskutimi mbi raporitn do të bëhet gjatë ditës së mërkurë në nivelin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, por nuk ka shumë pritje se mund të merret një vendim për heqjen e masave ndaj Kosovës. Raporti i Borrell, që ngjalli diskutime të thella dhe përpalsje në distancë mes Brukselit dhe Prishtinës, thuhet të përmbajë vlerësimin nëse duhet hequr masat ndaj Kosovës, të cilat u vunë një vit më parë për shkak të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës. Ato pasuan një varg veprimesh të Qeverisë në Prishitnë që dërguan në zyrat e komunave me përcjellje të policisë kryetarët e zgjedhur shqiptarë.

Ky veprim ngjalli reagimin e grupeve të protestuesve serbë, që u përplasën me forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke shkaktuar lëndimin e dhjetëra ushtarëve të KFOR-it. Masat u vendosën në përpjekje për të shtendosur gjendjen dhe ato përfshinë edhe pezullimin e takimeve mes zyrtarëve evropianë dhe atyre të Kosovës dhe disa prej programeve të para anëtarësimit.

Odat ekonomike në vend thanë se që nga vendosja e masave Kosova ka pësuar humbje prej mbi 300 milionë euro, megjithëse nuk dihet saktësisht se cilat kanë qenë efektet e saj. Megjithëse u prit që raporti i Borrell të dorëzohej javë më parë ai u shty për disa herë për arsye të ndryshme përfshirë edhe atë të një aksioni të fundit të policisë së Kosovës në veri për mbyllje të degëve të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë./RTV21/21Media

Back to top button