Borrell: Përfaqësuesit serbë të kthehen në institucione, Kosova ta zgjasë afatin për targa e të fillojë themelimin e Asociacionit

Borrell: Përfaqësuesit serbë të kthehen në institucione, Kosova ta zgjasë afatin për targa e të fillojë themelimin e Asociacionit

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, sonte ka telefonuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq lidhur me situatën e tensionuar në Veri të Kosovës.

Ai u ka bërë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të çojë në tensione të mëtejshme.

Borrell ka theksuar se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Sipas tij, ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.

“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë. Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale. Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut.”, është bërë e ditur në deklaratë.

Po ashtu, BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i zbatimit të këtij obligimi cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës. Është përgjegjësi e palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin. Çdo veprim, si djegia e makinave, ose retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, është e papranueshme dhe do të shkaktojë një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar. Në koordinim të ngushtë me NATO/KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) është i gatshëm të sigurojë stabilitet në terren në Kosovë në rolin e tij si reagues i dytë i sigurisë. EULEX-i dhe KFOR-i do të vazhdojnë të mbështesin për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt në përputhje me mandatet e tyre përkatëse.”, është bërë e ditur në deklaratën e Borrell.

BE-ja u ka kërkuar palëve të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga çdo veprim që do të çonte në dhunë dhe konfrontim.

“BE-ja është e gatshme të vazhdojë të lehtësojë negociatat, por të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për të kërkuar zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në Dialog.”, është shtuar tutje.

Ndryshe, përfaqësuesit serbë në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të lënë detyrën. Kjo është vendosur në takimin e thirrur nga Lista Serbe mesditën e së shtunës në Zveçan.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Serbët përfaqësohen me një ministër në Qeverinë e Kosovës, dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës, me kryetarë komunash në ato qytete ku shumicë janë qytetarët serbë, si dhe në gjyqësor, polici. Të gjithë këta do të largohen nga institucionet e Kosovës./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button