Britani, 400 mijë vaksinime në ditë

 

Gazeta The Times njofton se Britania është në prag të një ardhje masive vaksinash anticovid prej afro 10 milionë vaksina që në ditët në vazhdim, të cilat do mundësojnë përshpejtimin akoma më të madh të vaksinimit, i cili momentalisht shkon mesatarisht në mbi 400 mijë vaksinime që bëhen çdo ditë.

Kjo do të thotë se çdo i rritur në Britani do mund të ketë marrë dozën e parë të vaksinave anti Covid përpara datës 10 qershor, ose dy muaj përpara objektivit të qeverisë së Boris Johnson. Kjo nënkupton po ashtu se Britania do të jetë muaj përpara objektivit të Bashkimit Europian në këtë fushatë.

Sipas The Times, çdo britaniku mbi 40 vjeç do i ofrohet vaksina në periudhën e Pashkëve ose tre javë përpara planit të njoftuar muaj më parë nga zyrtarët britanikë të shëndetësisë.

Deri më sot, 11 milionë britanikë janë imunizuar me vaksinën e Oksfordit dhe AstraZenecas.

Momentalisht Britania e Madhe ka mundur të vaksinojë afro 24 milionë banorë ose mbi 35 përqind të gjithë popullsisë së saj. Sipas The Times, programi britanik i imunizimit do përforcohet nga mbërritja e vaksinave Moderna, Janssen dhe Novavax, qeveria e Boris Johnson ka prokuruar 17 milionë vaksina të Modernas, 30 milionë të Janssen dhe 60 milionë të vaksinës Novavax, ku të gjitha kanë një efikasitet mbi 80 përqind.

Sic dihet më herët, Britania ka blerë 100 milionë vaksina të Oksfordit dhe 40 milionë vaksina nga Pfizer.

Ndërkohë që shumë vende në Evropë, po mbyllen, Britania po del me shpejtësi nga pandemia, ku ka një rënie të vazhdueshme të numrit të infektimeve dhe rënie drastike të numrit të vdekjeve, edhe për shkak të vaksinimit, çka nënkupton hapjen e vendit drejt normalitetit në fund të këtij muaji dhe fillim të prillit.

Back to top button