Buxhovi: Kosovocentrizmi – formulë politike nga historia

Nga promovimi i librit “Kosova – histori e shkurtër” në Lipjan
Promovimi i veprës “Kosova – histori e shkurtër” zgjoi interesim në LIpjan. Kryetari i Komunës Imri Ahmeti, autorin e quajti të përkushtueshëm, që në tetë libra me mbi gjashtëmijë faqe, shtetit të Kosovës të ndërlidhur me Dardaninë antike, t’ia shkruajë historinë, duke e parë atë si qendër të një Shqipërie të natyrshme të saj.
Duke u ndërlidhur me këtë, autori theksoi se paradigma e asaj që Kosovën e nxjerr qendër të Shqipërisë së natyrshme, ka të bëjë me shfaqjen e shtetit të Kosovës të pranuar ndërkombëtarisht në vitin 2008, me ç’rast, u rivendos baraspesha historike midis qendrës dhe periferisë, e rrënuar dhunshëm në konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Kështu, realiteti i dy shteteve shqiptare në Ballkan (Shqipërisë dhe Kosovës), është një fitore e madhe historike për shqiptarët, meqë kjo ndodhi edhe në saje të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të SHBA-ve me aleatët e saj dhe NATO-s, me çka hapësira e shkapërderdhur shqiptare nga pushtimet serbe, iu rikthye sferës së Perëndimit.
Kjo komponentë shihet determinuse për politikën shqiptare në të dy shtetet, në mënyrë që gjeopolitika, në raport me rajonin dhe integrimet evropiane, të ruajë me çdo kusht këtë pozicion gjeostrategjik me Perëndimin ku partneriteti me SHBA-të dhe NATO-n paraqesin boshtin e tij. Meqë viteve të fundit, nga politikanë të papërgjegjshëm në Prishtinë dhe Tiranë, nën pretekstin e arritjes së një pajtimi gjoja historik me Beogradin, është futur në lojë edhe opsioni i ndryshimit të kufijve “me marrëveshje”, që nuk paraqet tjetër pos një kurth kundër shtetit të Kosovës për ta kthyer atë në një pazar prej nga do t’i hapeshin dyert opsionit të Serbisë së Madhe e me këtë edhe të rikthimit të ndikimit rus në rajon, sipas autorit, klasa e tanishme politike në Kosovë, që erdhi në pushtet dhe fitoi besimin e qytetarëve me një shumicë absolute, ka për detyrë, që krahas premtimeve për ta luftuar korrupsionin, për kthimin e shtetit ligjor dhe çkapjes së shtetit nga grupet mafioze, në raport me Serbinë dhe BE-në, kosovocentrizmin ta kthejë në formulë të padiskutueshme, së cilës duhet t’i nënshtrohen të gjitha.
Sepse, vetëm kështu, i mbyllen dyert pretendimeve të Beogradit për destabilizim të brendshëm të shtetit të Kosovës, ndërkohë që edhe faktorit ndërkombëtarë i bëhen të qarta limitet në raport me shtetin e Kosovës, ku nuk guxon të preket rendi kushtetues, integriteti territorial e as rregullimi i brendshëm i tij. Kjo qasje, duhet të kthehet në një kauzë politike afatgjate nga bartësit e saj kryesorë: Vetëvendosjes, po edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës – si parti historike. Këto parti, të cilat në skenën politike pasqyrojnë raportet midis të majtës dhe të djathtës, pa marrë parsysh pozicionet pozitë-opozitë, të përbashkët duhet ta kenë mbrojtjen dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës – formulë kjo politike, si një mision me të cilin i ngarkon historia./E.D. -21MEDIA
Back to top button