Çeku: Politika e la Kosovën pa energji, ja alternativat për të dalë nga kriza

Alternativa e vetme për të dalë nga kriza energjetike është rehabilitimi i pesë blloqeve të termocentralit “Kosova A”. Kështu mendon ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, ku shtoi se as qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk e ka prioritet sektorin e energjisë.
Çeku që shërbeu si ministër në periudhën 2003-2006, ka thënë se niveli i konsumit të energjisë elektrike atë kohë ka qenë afërsisht i njëjtë me sivjet. Sipas tij, konsumi nuk është rritur pasi nuk ka zhvillim të theksuar të industrisë në vend. Kosova, siç thotë ai, ka nevojë për energji konstante për 1200 deri 1400 megavat.
Duke iu rikthyer krizës energjetike në vend, Çeku kërkon konsensus politik për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë e vështirë.
Ish-ministri ka deklaruar se kurrsesi nuk duhet të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për ekonomitë familjare, por rritje të tarifave duhet të ketë vetëm për bizneset.
”Si duhet të dalim nga kjo krizë? Personalisht ndaj opinionin që Qeveria e Kosovës duhet ta ftojë një kompani prestigjioze ndërkombëtare, e cila do të bënte një analizë mbi blloqet e termocentralit ‘Kosova A’. Janë pesë blloqe dhe të shqyrtohet mundësia se a mund të ketë një rehabilitim të thellë të atyre pesë blloqeve me investime të mëdha. Kështu përmes tyre ta mbajmë Kosovën me furnizim të rregullt me energji elektrike. Kjo është një alternativë e parë. Alternativë tjetër duhet shikuar se a mund të ndërtojmë blloqet e ‘Kosovës e re’, për të cilën tani ka shumë pengesa për arsye se Banka Botërore dhe vendet e Bashkimit Evropian kanë ndalë fondet dhe nuk lejojnë që të prodhohet energjia nga linjiti. Kështu që alternativa e vetme është që të rehabilitohen blloqet e ‘Kosova A’”, u shpreh Çeku.
Profesori universitar, Çeku, duke mos veçuar ndonjë subjekt politik, ka fajësuar të gjitha partitë politike për dështimin e ndërtimit të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë, në këtë rast realizimin e projektit ”Kosova e re”.
Duke dhënë argumentet e tij, Çeku ka thënë se në asnjë formë nuk duhet të shtrenjtohet rryma për qytetarët konsumatorë. Ai mendon se barrën duhet ta bartin bizneset.
“Jam për një bllok-tarifë, tarifë për bizneset e mëdha dhe të mesme, e kurrsesi qytetarëve, të cilët kanë të ardhura të caktuara. Në shumicën e zonave urbane njerëzit ngrohen vetëm me energji, s’ka alternativë tjetër. kërkojnë mos me përdorë energjinë për ngrohje, po cila është alternativa për qytetarët. A duhet të shkojmë tani t’i presim të gjitha pyjet në Kosovë, të cilat edhe ashtu janë të degraduara. Prandaj, fatkeqësisht barrën duhet ta mbajnë bizneset e mëdha të cilat mund të jenë faktorë të rëndësishëm, edhe që lejojnë ngritjen e çmimit, por që nuk e prekin pjesën sociale të popullsisë apo familjeve të cilat kanë në marrëdhënie pune dy, ose një rrogë e që duhet t’i ndajnë 150 euro për një faturë të energjisë elektrike”, u shpreh ai.
Ani pse Kosova është e pasur me 11 miliardë tonë thëngjill, Çeku ka theksuar se pa konsensus, vendi do të zhytet edhe më tej në krizë
Ish-ministri deklarohet se as kjo qeveri nuk e ka në prioritet sektorin e energjisë, megjithëse pritshmëritë e tij ishin se kryeministri Kurti do të kishte fokusin në këtë sektor.

Back to top button