Çfarë bën Podujeva për rastet sociale

Pandemia Covid -19 thelloi varfërinë dhe papunësinë në Kosovë. Si pasojë e kësaj po rriten kërkesat për ndihma sociale. Por, çfarë u ofron komuna e Podujevës mbi 1 mijë familjeve me asistencë sociale?
Në një intervistë për portalin rtv21.tv, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka thënë se familjeve në nevojë iu ndihmojnë vazhdimisht në forma të ndryshme.
Ai ka thënë se përmes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqeniës Sociale familjet e varfëra ndihmohen me pako ushqimore, dru e me pako të mishit për festa.
“Janë diku mbi 1000 familje me asistencë sociale, ne vazhdimisht përmes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqeniës Sociale i trajtojmë dhe ju ndihmojmë në forma të ndryshme si pako ushqimore, dru për sezon të dimrit, me pako të mishit për festa, e me gjëra të tjera të nevojshme që ju duhen këtyre familjeve”, ka thënë Bulliqi për rtv21.tv.
Gjithashtu, Bulliqi ka shtuar se një ndihmë e madhe që iu ofrohet këtyre familjeve vjen nga donacione të ndryshme që i siguron komuna përmes bashkëpnuimeve që i ka me organizata të ndryshme e qytetarë të vullnetit të mirë.
Sa i përket varfërisë në nivel vendi, sipas të dhënave që ka siguruar portali rtv21.tv nga Deparatamenti i Politikave Sociale dhe Familjes në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve në total janë 25 mijë e 933 familje me asistencë sociale.
Kosova tash e dy vjet është duke u përballur me pandeminë Covd-19, e cila ka ndikuar që të ketë një rritje të familjeve që kanë kërkuar ndihmë sociale.
Portali rtv21.tv ka siguruar të dhënat e numrit të familjeve që kanë kërkuar ndihmë sociale nga shteti përgjatë 4 vjetëve të fundit:
-Dhjetor 2018 familje që kanë përfituar ndihmë sociale janë 25,345 me numër të anëtareve 103,399;
-Dhjetor 2019 familje që kanë përfituar ndihmë sociale janë 24,679 me numër të anëtareve 98,756;
-Dhjetor 2020 familje që kanë përfituar ndihmë sociale janë 25,679 me numër të anëtareve 103,189;
-Dhjetor 2021 familje që kanë përfituar ndihmë sociale janë 25,895 me numër të anëtareve 102,904./21Media

Back to top button