Çfarë u miratua sot në Kuvendin e Kosovës?

Kuvendi i Kosovës, kryesuar nga kryetari Glauk Konjufca, vazhdoi sot mbledhjen plenare të filluar më 16, 22, 23, 30 qershor dhe 1, 6 e 7 korrik 2022.
Fillimisht u miratua Raporti vjetor i Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, për të cilin diskutimet ishin shterur në një nga seancat e kaluara.
Deputetët me shumicë votash miratuan dhe raportin vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, ndërsa raportin së bashku me rekomandime për miratimin e këtij raporti, arsyetoi kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Armend Muja.
Kuvendi po ashtu miratoi edhe Projektligjin për Deklarimin Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, si dhe Raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021.
Mbështetjen e deputetëve e morën edhe Projekt-kodi i Procedurës Penale, Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Projektligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe Projektligji për Shërbimin Sprovues të Kosovës.
Po ashtu, gjatë kësaj seance u miratua në parim edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme./21Media

Back to top button