Challandes: Na pret ndeshje e vështirë në Suedi, duhet të tregojmë se kemi ndryshuar mentalitet 

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes sot e vlerësoi si shumë të vështirë ndeshjen me Suedinë.
Ai në konferencën për media para dy ndeshjeve të këtij muaji kundër Suedisë, më 9 tetor dhe kundër Gjeorgjisë më 12 tetor, foli për atë çfarë ekipi tregoi në tri ndeshjet e kaluara dhe çfarë pret në duelet e këtij muaji.
“Në shtator kemi nisur me slogan të ri për ndërrimin e mentalitetit, pastaj kishim tri ndeshje, mund të them tri ndeshje të mira. E para kundër Gjeorgjisë, ndeshje e vështirë por dëshmuam se kishim bërë ndryshimin e mentalitetit. Kemi luftuar, punuar së bashku si ekip dhe mendoj se kjo ishte pikënisja e ndërrimit të mentalitetit. Më njihni, për mua të luftojmë, të vrapojmë, të kthehemi, të luajmë si ekip është shumë e rëndësishme, si taktikisht, si me posedimin e topit. Në ndeshjen e dytë, kundër Greqisë, i kemi përzier të gjitha këto dhe në fund, ekipi e meritoi barazimin. Ishte një ndeshje e luajtur me mentalitet dhe futboll të mirë”, tha Challandes.
Tutje, i njëjti tha se ndeshja e fundit kundër Spanjës ka qenë ndeshja më e mirë për të prej që kur është trajner i Kombëtares së Kosovës.
“Ndeshja e fundit kundër Spanjës, mbase nuk pajtoheni, por për mua ishte ndeshja më e mirë prej se jam në krye të Kosovës. Sepse kemi luajtur kundër ekipit më të mirë në botë dhe patëm paraqitje fantastike duke i përzier të gjitha cilësitë tona si ekip. Me një fjalë, kemi luajtur futboll, si taktikisht ashtu edhe në mbrojtje. Kishim mundësi shënimi dhe jemi mbrojtur shumë mirë. E kam shikuar ndeshjen disa herë dhe jemi ekipi që kemi pasur më shumë raste shënimi se Spanja dhe për mua kjo është një tregues së kemi luajtur një ndeshje shumë të mirë. Por, për fat te keq, nuk e kemi arritur shënimin e golit dhe për këtë ndihem paska i dëshpëruar, sidomos për futbollistët”, theksoi Challandes.
Duke folur për ndeshjen e radhës kundër Suedisë, timoneri i Dardanëve vlerësoi se kemi të bëjmë me një ekip shumë të fortë, por se duhet provuar për të nxjerrë rezultat pozitiv.
“Suedia është një ekip shumë i fortë dhe kundërshtar tejet i vështirë. E kemi parë Suedinë në “Euro 2020” ku iu ka shkaktuar probleme secilit kundërshtar. Është një kundërshtar që luan futboll të fortë dhe me lojë fizike ia pamundëson kundërshtarit të aplikojë lojën e tij. Por, ne duhet të tregojmë veten edhe në këtë ndeshje. Po ashtu, duhet të provojmë që kur kemi topin në posedim të bëjmë lëvizjet e duhura, të tentojmë ta rrezikojmë Suedinë dhe nëse dalim në situata si kundër Spanjës, duhet të arrijmë të shënojmë. Por, në përgjithësi na pret një ndeshje shumë e vështirë kundër një kundërshtari të fortë”, shtoi Challandes.
Ai foli edhe për prurjen e re, Toni Domgjoni, të cilin e vlerësoi si lojtar shumë të rëndësishëm dhe që punon shumë për ekipin./21Media

Back to top button