Gjykimi i Salih Mustafës, dëshmitari i tretë thotë se është maltretuar 18 ditë në Zllash
Sot është mbajtur seanca e radhës ndaj gjykimit të Salih Mustafës.
Ndërkaq, dëshmitari i tretë në rastin e Mustafës ka thënë se në Zllash është mbajtur 18 ditë, ku është rrahur e maltretuar vazhdimisht.
Nën masa mbrojtëse të sigurisë, ai i është përgjigjur në pyetje përfaqësueses së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Silvia D’Ascoli në seancën e sotme gjyqësore ku ka thënë se është rrahur nga katër apo pesë persona.
”Aty kam ndejt 17 netë, 18-n ditë jam liruar prej atij vendi, aty ka ndodh çdo ditë lloj-lloj torturash, kemi ndejt aty dhe kemi ndejt duke prit kush po vjen me të rreh, me të marrë me të dërgu në ahur dhe me të rreh, sa më kujtohet[…]Na kanë rrahur shkelma, boksa, stupca, shufra ka pasur diçka të hekurt, na kanë djeg me qiri ta mbanin qirin në shpinë, të djegshin në lloj-lloj mënyre, me rrymë, e kanë pasur një si kuti me rrymë t’i lidhnin këmbët, ka pasur lloj-lloj torturë”, ka thënë dëshmitari.
Ndërsa,prokurorja e ka pyetur dëshmitarin nëse është abuzuar seksualisht por një gjë të tillë ai e ka mohuar.
Ai ka thënë se është rrahur pothuajse çdo ditë, nga katër apo pesë persona, emrat dhe pseudonimet e të cilëve pretendon se i mban mend.
”Sa e mbaj mend ka qenë një pseudonim Tabuti, ka qenë Vela, një Afrimi, një tjetër me emër Dardan, një Fatmiri berberi i thonin në atë kohë, ka qenë një Bini. Këta janë kanë torturuesit që më kanë mbet në krye, këta janë kanë maltretuesit që kanë ekzistuar aty më të mëdhenjtë, ka pasur edhe të tjerë Avnia, Bujari, por nuk kemi pasur keqtrajtime prej tyre, keqtrajtimet kanë qenë nga këta që i përmenda”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, të njëjtit në rroba kanë pasur mbishkrimin BIA.
Kujtojmë që, gjykimi i Salih Mustafës ka vazhduar me dëshminë e dëshmitarit të tretë të ZPS-së.
Dëshmitari i parë i mbrojtur ka dëshmuar nga data 20 deri më 23 shtator, ndërsa dëshmitari i dytë ka dëshmuar nga 23 deri më 27 shtator. Të gjithë nën masa mbrojtëse të sigurisë.
Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.
Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020, ndërsa ai është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.