Cilat janë pasojat e dhunës fizike te fëmijët?

Sa më shumë që kuptojmë mbi pasojat që lë dhuna, aq më të qartë kemi mënyrën se si të adresohemi te personat adekuat për përmirësimin e kësaj problematike.
Në një përgjigje për portalin rtv21.tv psikologia Arbenisa Berisha-Gashi ka thënë se dhuna fizike mund të çojë në një gamë të gjerë pasojash negative për fëmijët dhe të rinjtë.
“Ajo i referohet çdo sjellje nga prindërit, kujdestarët, të rriturit e tjerë e cila është jashtë normave të sjelljes dhe sjell rrezik të konsiderueshëm duke shkaktuar dëmë në aspektin fizik, emocional dhe psikologjik te një fëmijë.Është e rëndësishme të dini që një person ndjek rrugën e dhunës atëherë kur te ai mungojnë aftësitë menaxhuese.Pra, dhuna si një fenomen rezulton të shfaqet në rastet kur një individ nuk arrin në nivelin e përshtatshëm të të menduarit dhe shprehurit, duke pasur kështu edhe aftësi të ulëta të menaxhimit të problemeve apo situatave të caktuara”, ka thënë psikologia Arbenisa Berisha-Gashi për portalin rtv21.tv
Kur mund të themi se një fëmijë është i dhunuar?
Sipas psikologes Berisha-Gashi, fëmijët mund të quhen të dhunuar edhe atëherë kur prindërit apo shoqëria mendojnë që nuk kanë bërë asgjë që fëmija në fjalë të ndjehet i dhunuar.
“Atëherë, çdo fëmijës që i merret e drejta e fjalës, pastaj fillon të ofendohet, frikësohet a trembet në forma të ndryshme nga një person, konsiderohet formë e dhunës, duke përfshirë pastaj dhunën fizike si forma më e rëndë e dhunës e cila në shumicën e rasteve bëhet në mënyrë të qëllimshme. Është e rëndësishme të kuptohet që dhuna fizike që i shkaktohet fëmijës, nuk tejkalon me shërimin e plagëve të marra, si mavijojsja, gërvishja apo lëndimi më serioz i këmbës a dorës. Sa më gjatë që ndodh dhuna fizike te një fëmijë, aq më serioz do të jetë edhe ndikimi i saj në jetën e fëmijës.Nga kjo që u tha më lartë, mund të kuptoni se një fëmijë i cili është dhunuar fizikisht do të përballet në vazhdimësi me probleme të tjera të cilat janë shumë të dëmshme për të”, tha më tej psikologia.
E dini cilat janë pasojat e dhunës fizike te fëmijët?
“Dhuna fizike, përveç që prek fëmijën, ai prek të gjitha fushat e zhvillimit të tij. Në këto raste fëmija dëmtohet në aspektin emocional, psikologjik dhe social. Dhuna fizike mund të rezultojë në një sërë pasojash biologjike duke përfshirë dëmtime serioze të trurit, deficite shqisore dhe çrregullime të të nxënit. Fëmijët e dhunuar fizikisht përfshihen në probleme emocionale si zemrërim, frikë, ankth, paaftësi për të shprehur ndjenjat dhe për t’u ndjerë i sigurt, duke qenë si pasojë afatgjatë mund të jetë shkatërruese për fëmijën.Fëmijët e prekur nga kjo problematikë ndjehen të paaftë për të formuar miqësi me bashkëmoshatarët, kanë aftësi të dobëta sociale, njohëse e gjuhësore”, ka thënë Berisha-Gashi.
Sipas.. sigurisht një numër i konsiderueshëm i problemeve psikologjike do ta përcjellin fëmijën deri në rritjen e tij, duke filluar nga krijimi i imazhit negative dhe për veten e tij, vështirësi në performancë akademike, vështirësi të vetëkontrollit të emocioneve dhe vetëbesim i ulët.
Si të përmirësojmë këtë gjendje? Këshilla e psikologes Arbenisa Berisha-Gashi.
Mbillni dashuri, paqe dhe siguri te fëmijët tuaj.
Përjashtoni problemet tuaja personale si prindër në momentin e hyrjes në shtëpi, pasi që fëmija nuk është fajtor për problemet e punës.
Mësoni fëmijëve shkathtësi për ndalimin e dhunës, jepni ide për zgjidhjen e konflikteve në rast rreziku nga jashtë.
Stërvitni për zgjedhjen e konflikteve pa dhunë.
Mësoni fëmijët të kenë shkathtësi për bisedime që do të ndihmojnë ta definojnë konfliktin; për çfarë debatojmë? Pse dhe si u paraqit ky problem?
Pasi që të gjithë fëmijët do t’i zotërojnë shkathtësitë për bisedime, çdo ditë ndani ide të reja, ndihmoni ata të marrin informacione shtesë për dhunën dhe pasoja e saj, duke mos lejuar askënd të tentojë ta dëmojë fëmijën në çfarëdo forme./21Media

Back to top button