Çka e shtyn një person të kryejë vrasje? Profesionistët shëndetësorë sqarojnë për RTV21

Një tragjedi në një familje shqiptare ka ndodhur mbrëmë në Gjermani. Dy fëmijë, 11 dhe 13-vjeçarë janë vrarë nga të shtënat me armë prej babait të tyre, në Glinde afër Hamburgut. 44 vjeçari Flamur R. i ka qëlluar të dy fëmijët me armë zjarri në kokë.
Por, çka i shtyn njerëzit të kryejnë vrasje?
Psikiatri Afrim Cana, sot për rtv21.tv deklaroi se është e vështirë të jepet një përgjigje adekuate për situata të caktuara, mirëpo siç u shpreh ai, nuk ka dyshim që janë raste shumë komplekse dhe do të duhet një qasje shumëdimensionale për t’u sqaruar.
“Mendohet që në situata të vrasjeve të tilla mbrenda familjes, ekziston ndonjë konflikt i thellë dhe përzistent, i cili si i tillë ka qenë i pamundur të evitohet sidomos në raste kur mungon komunikimi adekuat në mënyrë që të gjenden modele te pranueshme për tejkalimine e konflikteve të tilla. Natyrisht që, rol të madh poashtu luan edhe e kaluara e individëve në raport me çrregullimet mendore, pasiqë sipas referimeve shkencore, psikopatologjia ka rëndësi të veçantë sikur te suicidet e poashtu edhe te homicidet.”, deklaroi Cana.
Ndërsa, specialisti i Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë, Imri Zabeli për rtv21.tv bëri të ditur se rastet kur prindi e vret fëmijën e vet janë të ndryshme.
“Gjendjet që mund të ndikojnë në veprime të tilla makabre, i gjejmë të lidhur me një sërë shkaktarësh, si krizë mendore (epizodë psikotike), e shkaktuar nga përdorimi i substancave narkotike, alkoolit dhe abuzimit me barna, çrregullime të rënda të personalitetit, mungesë e reziliences ndaj ndryshimeve familjare dhe sociale.”, deklaroi Zabeli, i cili shtoi se vetëm vuri hipoteza, të cilat asesi nuk duhet shërbejnë si bazë për paragjykimin e shkaktarëve që ndikojnë në veprime të tilla.
Ndryshe, që nga vitit 2018 deri në gusht të vitit 2021, në Kosovë kanë ndodhur 134 vrasje, prej të cilave 49 vrasje, nga neni 178-172 “Vrasja” dhe 51 vrasje të rënda, nga neni 179-173 “Vrasja e Rëndë”. Kështu ka bërë të ditur policia për rtv21.tv, sipas së cilës, për periudhën tri vjeçare, më së shumti vrasje ka pasur në vitin 2018. Sipas të dhënave të policisë, në vitin 2018 kanë ndodhur 34 vrasje, 22 vrasje dhe 12 vrasje të rënda. Në vitin 2019, kanë ndodhur 20 vrasje, 8 vrasje dhe 12 vrasje të rënda. Ndërsa, në vitin 2020, kanë ndodhur gjithsej 27 vrasje, 12 vrasje dhe 15 vrasje të rënda. Ndërkaq, deri në gusht të vitit 2021 kanë ndodhur 19 vrasje, 7 vrasje dhe 12 vrasje të rënda./21Media

Back to top button