Çka është doza përforcuese dhe doza e tretë e vaksinës antiCovid-19?
Nga nesër në Kosovë fillon dhënia e dozës së tretë dhe përforcuese të vaksinës Anti-COVID.
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë disa sqarime rreth këtyre dy dozave.
Sipas MSH-së doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Kurse, doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues.
Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.
Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura.