Dauti: Amerika do të largohet nëse Kryeministri nuk respekton kërkesat e tyre

Kryetari i Këshillit Shqiptaro-Amerikan, Haxhi Dauti, sot në “21Drejtpërdrejt” u shpreh se nëse Kryeministri Albin Kurti nuk e shtyn afatin për targat do ta fusë veten në problem shumë të madh.
“Bashkimi Evropian dhe Amerika janë garantorë të paqes ndërmjet Serbisë edhe Kosovës, atëherë Amerika do të largohet, nëqoftëse Kryeministri nuk respekton kërkesat e tyre”, u shpreh ai.
Duke folur për vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me targat në veri, Dauti pohoi se ka rrezik të dobësimit të marrëdhënieve Kosovë-ShBA.
“Nuk e di pse Kryeministri nuk respektoi kërkesën e ShBA-së, se ShBA kërkoi 10 muaj, Kryeministrit i thoshte 1 vjet, targa janë, ka 10 vjet që merren me atë. Pse e fut veten në problem, krijon tensione, tani shkallëzoi 2-3 muaj, mandej çfarë do të bëjë, nëqoftëse ato nuk veprojnë, do të fillojë luftë”, tha Dauti.
Sot ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë së Republikës të Kosovës për targat ilegale, sipas të cilit serbët do të marrin vetëm vërejtje deri më 21 nëntor, si fazë e parë e konvertimit të targave në RKS, pas së cilës do të fillojë faza tjetër, ajo e gjobitjes 150 euro.
Nga data 21 janar 2023, pronarët e mjeteve me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, për të hyrë dhe qarkulluar në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të pajisen me targa provuese duke e pasur të drejtën e regjistrimit me targa RKS me lehtësirat e parapara.
Nga data 31 mars deri më datë 21 prill 2023, do të mundësohet regjistrimi i mjeteve me “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” në targa RKS, por të njëjtat nuk do të mund të shfrytëzojnë lehtësirat e ofruara deri me këtë datë.
Pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet hyrja apo qarkullimi i mjeteve motorike që posedojnë targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” brenda territorit të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button