Dakordimi me BE-në, një hap para drejt shtensionimit të situatës në veri

Qeveria e Kosovës njoftoi se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën. Njohës të rrethanave thonë se marrëveshja e arritur me Bashkimin Evropian është një hap para drejtë normalizimit të marrëdhënieve.

Marrëveshjen e arritur për reduktimin e policëve në objektet komunale në veri, qytetarët shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës, e cilësojnë si hap të duhur drejt normalizimit të situatës.

Po ashtu, ish ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, vlerëson se marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian do ta qetësojë situatën, ndërsa zgjedhjet e reja të parakohshme do të prodhonin një legjitimitet që do të pranohej edhe nga serbët.

“Më duket që është krejt normale në rast se ka dakordim që nuk shkohet tek ndërtesat e komunave. Nëse kryetarët tërhiqen dhe kryejnë punën e tyre në ndonjë lokalitet tjetër, atëherë mund të biejnë tensionet dhe policia nuk ka nevojë që të jetë në objekte komunale. Në rast se janë dakordu për de-eskalim të situatës, largimin e kryetarëve nëpër disa institucione, psh në Cabër…., kjo mendoj se është krejt normale. Nëse ka dakordim, mirë do të ishte që do të mbahen zgjedhjet, pastaj pjesëmarrja të jetë masive që të ketë legjitimitet dhe rezultati i zgjedhjeve të implementohet”, tha ai për RTV21.

Por, Igor Markoviq nga organizata joqeveritare serbe “AktivPlus” konsideron se vetëm tërheqja e plotë e policëve nga objektet komunale, do të ketë normalizim të situatës.

“Nëse vendimi i fundit nënkupton tërheqjen e 25% të policëve të rregullt, do të thosha patjetër se nuk do të zgjidhë tensionet aktuale në veri. Që nga nëntori i vitit 2022, ka pasur dy raste të të shtënave ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb të Kosovës të kryera nga Njësitë Speciale dhe me zgjerimin e fundit të bazës së Njësisë Speciale në urën në lumin Bistrica, vendasit ndihen gjithnjë e më pak të sigurt. Prandaj, konsideroj se ky vendim është shpallur vetëm për të kënaqur Brukselin dhe jo realisht për të ulur dhe përshkallëzuar krizën aktuale në veri. Janë të paktën tre parakushte për mbajtjen e zgjedhjeve të mundshme në veri. Së pari, ekziston nevoja që njësitë speciale të tërhiqen nga veriu, pasi prania e tyre nuk ishte efektive dhe vetëm sa ka çuar në uljen e perceptimit të ndjenjës së sigurisë në mesin e pjesëtarëve të komunitetit serb të Kosovës në veri. Së dyti, Qeveria aktuale duhet të zotohet për formimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, siç është përcaktuar me Marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015. Së treti, duhet gjetur shpejt një mekanizëm për kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, në mënyrë që ata do të vazhdonte të funksiononte normalisht, siç ishte rasti para nëntorit 2022”, tha Markoviq.

Pajtimi për reduktimin e numrit të policëve dhe mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak./21Media

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button