Dasmat me të shtëna armësh s’kanë të ndalur, dy të arrestuar

Dy persona janë arrestuar në Gjilan nën dyshimin për gjuajtje me armë zjarri gjatë një ahengu familjar të dielën.

Arrestimi i tyre ka ndodhur pas një informate që Policia e ka pranuar nga qytetarët.

“Njësitet policore kanë arritur që të lokalizojnë vendin e ngjarjes ku kanë takuar dy të dyshuar R.I. (viti i lindjes 1955, mashkull, kosovar shqiptar) dhe F.S. (viti i lindjes 1977, mashkull, kosovar shqiptar) të cilët dyshohet se gjatë një ahengu familjar (dasmë) kanë shtënë me armë zjarri”, ka thënë Policia.

Nga dy të dyshuarit, policia ka konfiskuar dy armë zjarri, njëra e llojit Walther e kalibrit 9 mm dhe tjetra e llojit Zoraki 917-T si dhe tri (3) gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacionin Policor Gjilan ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që ndaj dy të dyshuarve të ngritët kallëzim penal për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe rasti do të procedohet në prokurorinë themelore.

Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan u ka bërë apel qytetarëve që, “me që jemi në sezonin kur jemi të bashkuar për të ndarë kohë të mirë dhe gëzime familjare, për mos përdorim të armëve gjatë këtyre evenimenteve”.

“Në të shkuarën ka pasur raste kur përdorimi i armëve në këso raste ka sjellë pasoja tragjike”, ka theksuar policia, ndërsa ka bërë thirrje që të “Festoni me zemër, jo me armë”./21Media

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button