Debat për ndryshimin e ligjit për pensione

2 min read

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, propozuesja e këtij projektligji, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi heqjen e nenit që parasheh që çdo pensionist të ketë të paktën 15 vjet përvojë pune para vitit 1999 për ta gëzuar pensionin kontribut dhënës.

“Kërkesa jonë është të largohet ky kushtëzim jologjik i dëmshëm diskriminues për punëtorët e viteve 90 të cilët ishin larguar dhunshëm kundërligjshëm nga institucionet shtetërore të vendit”.

Kërkesa e AAK-së për heqjen e këtij neni nga ligji u përkrah edhe nga PDK-ja e LDK-ja.

Por opozitës iu kundërpërgjigj partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kritikoi për mos heqjen e po të njëjtit nen prej afro 20 vjetësh.

Deputetes Kusari-Lila i replikuan deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj dhe ai i PDK-së Bekim Haxhiu.

Debati u thellua edhe më tej. Deputeti i AAK-së Pal Lekaj akuzoi deputetët e shumicës për veprime sipas diktatit të kryeministrit Kurti.

“Mund t’i thoni po kësaj nisme por kur po thotë baba jo, krejt ju po thoni jo, pse more ashtu, moni more se jeta është më e gjatë sesa një kryeministër”, tha Lekaj.

Ndërsa deputeti i PDK-së Abelard Tahiri, tha se iniciativa e AAK-së për heqjen e kushtëzimit që çdo pensionist të ketë përvojë pune të paktën 15 vjet ka qenë edhe në vitin 2019 dhe e njëjta atë kohë ishte përkrahur nga Vetëvendosje dhe kryeparlamentari Konjucfa.

Me gjithë diskutimet, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti nuk u miratua pasi që nuk kishte kuorum. Në mungesë të kuorumit seanca u shty për javën e ardhshme./21Media