Deliu-Kodra i kërkon Presidentes ta kundërshtojë shtrenjtimin e energjisë elektrike

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra sërish i ka kërkuar Presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, të mbrojë interesin e qytetarëve të Kosovës.
“Sot është dita e fundit që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të dalë dhe të mbrojë interesin e qytetarëve të Kosovës.  Presidente, vepro e pavarur nga Kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje: Dil dhe mbroje interesin e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në postimin e Deliu-Kodrës në Facebook.
Tutje, deputetja i ka kërkuar Osmanit të dalë ta kundërshtojë shtrenjtimin e energjisë elektrike.
“Presidente, dil dhe kundërshtoje shtrenjtimin e energjisë elektrike.  Presidente, mos rri në rrugën e Kryeministrit Kurti. Paralajmërimi i tij se nuk ka zgjidhje tjetër përveç shtrenjtim të energjisë elektrike, nuk duhet të vlejë si parashkrim i qëndrimit tënd”, ka shkruar ajo.
Kujtojmë se, së fundmi këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmani, Donjeta Miftari i reagoi deputetes së PDK-së, pasi e njëjta kishte thënë se Osmani ka një kohë që kjo e fundit nuk është deklaruar për zhvillimet në Kosovë.
Miftari përmes Facebook-ut, ‘i është përgjigjur’ Deliu-Kodrës, duke i thënë se Presidentja Osmani i di obligimet kushtetuese dhe përgjegjësitë e saj.
“Presidentja e Republikës së Kosovës i di shumë mirë obligimet e saj kushtetuese, se cilat janë përgjegjësitë e saj, e cilat jo. Ashtu si pjesa më e madhe e botës, Republika e Kosovës është përballur me sfida që lidhen me pandeminë, për të cilat është angazhuar personalisht Presidentja. Ky angazhim, ndër të tjera, ka rezultuar me sigurimin e donacionit prej mbi 500,000 vaksinave nga SHBA-të dhe mijëra vaksina të tjera nga partnerë të tjerë. Me këtë temë, nga vaksinimi, e deri te vetëdijesimi, Presidentja merret në baza ditore dhe këto bëhen transparente për publikun nëpërmjet komunikatave për medie”, ka thënë Miftari.
Miftari ka thënë se, Deliu-Kodra nuk ka pse t’ia kujtojë Presidentës Osmani detyrat e saj./21Media

Back to top button