Deliu-Kodra: Kurti e ka shpallur armiqësore Shtëpinë e Bardhë

 
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Blerta Deliu-Kodra ka thënë se kryeministri Kuti e ka shpallur armiqësore Shtëpinë e Bardhë, duke kontestuar, siç ka thënë, vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të presidentit të SHBA-së.
Përmes një shkrimi në “Facebook”, Deliu-Kodra ka thënë se nuk duhet harruar që në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan i asaj kohe, kishte marrë vendimin për të larguar forcat serbe nga Kosova për të ndihmuar luftën e popullit shqiptar për çlirim.
“Kryeministri Kurti shpalli armiqësore Shtëpinë e Bardhë duke kontestuar vlefshmërinë juridike të marrëveshjes dhe legjitimitetin e nënshkrimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Siç na kujtohet, ish-Kryeministri izraelit, pa qenë fare i pranishëm në takim dhe i përfshirë në negociata, por vetëm nëpërmjet një komunikimi me telefon me Presidentin amerikan konfirmoi vullnetin e Presidentit të SHBA-ve duke respektuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë dhe duken e zbatuar atë me njohjen e shtetit të Kosovës. Kujtojmë, po ashtu, se po në atë Shtëpi të Bardhë, pa kaluar nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, Presidenti amerikan i kohës mori vendimin historik për të shporrur forcat gjenocidale të Serbisë dhe ndihmuar luftën e nisur të popullit të Kosovës për çlirim. Përpjekjet për të armiqësuar marrëdhënien e Kosovës me SHBA-të, duke trilluar “thika mbi harta” dhe zhvlerësuar legjitimitetin e Shtëpisë së Bardhë për të ndërmjetësuar marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë veprime të rrezikshme që kërkojnë reagimin mbarë shoqëror”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë e vetmja garanci, të cilës populli i Kosovës i beson./21Media

Back to top button